Kosova

Finalizohet puna e Grupit Punues për adresimin e çështjeve me rëndësi për Projekt kodin e Procedurës Penale

Në kuadër të adresimit të çështjeve të rëndësishme, pas një punë intensive, Grupi Punues për Projektkodin e Procedurës Penale ka finalizuar punën duke mbajtur sot takimin  dhe diskutimin e fundit të këtij Grupi Punës. Prezent në këtë diskutim kanë qenë Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, zëvendës ministrat, përfaqësues të tjerë nga Ministria e Drejtësisë si dhe anëtarët e grupit punues nga institucionet përkatëse dhe shoqëria civile.

Përpos gjykimit në mungesë i cili është në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias si dhe në linjë me ligjin e ri tashmë të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, janë adresuar edhe çështje të tjera të cilat kanë të bëjnë me mundësimin e suspendimit të zyrtarëve publik me rastin e ngritjes së aktakuzës për vepra të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu është adresuar çështja me afatet e hetimeve të cilat do të ndikojnë në një hetim më kualitativ, pastaj kontrolli i hetimeve si dhe çështje të tjera të rëndësishme teknike dhe përmbajtjesore të Kodit aktual, adresimi i të cilave do të ndikoi në punë më efikase dhe efektive të sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Proejktkodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, është në kuadër të prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë në reformimin e drejtësisë penale, e cila do të finalizohet tutje sipas afateve të parapara në Programin Legjislativ të Ministrisë së Drejtësisë. /Kosova.info/