EKONOMI

Filluan punimet e rrugës Deçan-Plavë

Sot, u inaugurua fillimi i punimeve të rrugës Deçan-Plavë, rrugë kjo që e lidhë rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë.

Në prani të një numri të madh të qytetarëve dhe të personaliteteve të jetës kulturore dhe politike, zyrtarisht filluan punimet në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, me ç’rast Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke iu drejtuar të pranishmëve me një fjalë rasti tha: “ Për mua është ditë e veçantë sepse na është dhënë rasti që të fillojmë një rrugë që lidhë Deçanin dhe Kosovën me Malin e Zi, sidomos me atë pjesë ku banojnë shqiptarë.

Nuk ka ndjenjë më të mirë se kur jemi në shërbim të qytetarëve, të lëvizjes së lirë, të investimeve dhe zhvillimit të turizmit, sepse kjo rrugë ka ndikim pozitiv shumëdimensional. E them këtë sepse këto bjeshkë janë atraktive për zhvillimin e turizmit e sidomos edhe për transport të mallrave si lidhje me Malin e Zi.

Nuk ka më mirë se kur përgatisim infrastrukturën për të zhvilluar vendin dhe me këto ndjenja jemi sot këtu që t’ia nisim kësaj rruge duke mos e atakuar askënd por unë jam i vendosur që ky projekt të zhvillohet deri në fund, andaj faleminderit Deçan, e gëzofshi këtë rrugë dhe na priftë e mbara!“.

Ndërsa, duke folur për buxhetin e ndarë për këtë projekt ministri Pal Lekaj, saktësoi se: “Për këtë vit janë ndarë katër milionë euro, kurse për vitin 2019 do të ndahen edhe 8 milionë euro të tjera, kurse projekti në tërësi do të përfundojë në vitin 2020”, tha në fund të fjalës së tij ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Përveç ministrit Lekaj, të pranishmëve me një fjalë rasti iu është adresuar edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili vuri në pah rëndësinë dhe simbolikën që ka kjo rrugë për banorët e Dukagjinit dhe ata të Plavës e Gucisë. /Kosova.info/