SPORT

Fillon Superliga në Basketboll

Në mesjavë do të zhvillohet java e parë në Superligën e Kosovës në basketboll. Që në javën e parë do të ketë ndeshje interesante.

Peja-Sigal Prishtina do të ballafaqohen në ‘Karagaçi’ të mërkurën mbrëma, ku vlerësohet njëra nga ballafaqimet më interesante në këtë xhiro.

Prishtina hyn në këtë takim e motivuar, pasi të dielën, pikërisht në qytetin e Pejës triumfoi në Superkupë, kurse pejanët shpresojnë të nisin me fitore edicionin e ri, pasi në Superkupë, u eliminuan nga Bashkimi, që në çerekfinale.

Po ashtu të mërkurën mbrëma zhvillohet ndeshja mes Rahovecit dhe skuadrës që ka hyrë në elitë këtë edicion, Vëllaznimit.

Të enjten do të zhvillohen dy ndeshje interesante në Prizren. Ponte Prizreni-Golden Eagle Ylli do të jetë një takim shumë interesant, me të dy skuadrat që janë përforcuar dhe kanë synime të mëdha në edicionin e ri.

Java e parë do të përmbyllet me ndeshjes ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, po ashtu dy rivalë të vjetër. Bashkimi ishte finalist i Superkupës, kurse mitrovicasit siguruan mbijetesën në elitë, duke mundur AS Prishtinën në Play-out dhe shpresojnë se do të kenë një edicion më të suksesshëm se ai i kaluari.

Takimet do të zhvillohen pa shikues dhe me praninë e vetëm 50 personave në palestër, duke përfshirë dy skuadrat, zyrtarët e ndeshjes dhe përfaqësuesit e FBK-së.

Ndeshjet do të transmetohen në platformën ArtMotion, kurse Statistikat LIVE mund t’i gjeni në faqen zyrtare të FBK-së.

Superliga – Java 1

E mërkurë

19:00 Peja – Sigal Prishtina

19:00 Rahoveci- Vëllaznimi

E enjte

17:00 Ponte Prizreni – Golden Eagle Ylli 19:30 Bashkimi – Trepça