Bota

Fillojnë dëshmitë publike në hetimin ndaj Trumpit

Në Komitetin për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë filluar dëshmitë publike në kuadër të hetimeve ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

Të parët që po dëshmojnë janë William Taylor, i ngarkuari me punë në Ukrainë, një diplomat veteran, dhe George Kent, zëvendës-ndihmës sekretar amerikan i Shtetit.

Dhoma e Përfaqësuesve po e heton presidentin Trump nëse ai ka abuzuar detyrën e tij për përfitime personale dhe politike, duke nxitur një qeveri të huaj për të hetuar rivalët e tij politikë. Në veçanti, nëse Trump, pezulloi 390 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe i kërkoi presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy që të zhvillojë hetime ndaj kundërshtarit të tij të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ish-nënpresidentit amerikan Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter.

Në fillim të dëshmisë së tij Kent, tha se “si një parim i përgjithshëm, unë nuk besoj se Shtetet e Bashkuara duhet t’u kërkojnë vendeve të tjera të përfshihen në hetime selektive, të lidhura politikisht ose ndjekje penale kundër kundërshtarëve të atyre që janë në pushtet, sepse veprime të tilla selektive dëmtojnë sundimin e ligjit pa marrë parasysh vendin”, ka thënë ai.

Një telefonatë e 25 korrikut midis Trumpit dhe Zelenskiyt është arsyeja kryesore që Dhoma e Përfaqësuesve nisi hetimin në kuadër të procedurës së shkarkimit të presidentit amerikan. Një informator, deri më tani i paidentifikuar, dërgoi ankesë duke thënë se biseda përbënte shkelje nga ana e presidentit amerikan.

Në nisje të seancës, kryesuesi i Komitetit, Adam Schiff u bëri thirrje anëtarëve të Kongresit dhe dëshmitarëve që të mos identifikojnë informatorin anonim që paralajmëroi për herë të parë Kongresin për thirrjen Trump-Zelensky.

“Unë nuk e di identitetin e informatorit dhe jam i vendosur të sigurohem që identiteti të mbrohet,” thotë ai.

Gjatë fjalës së tij, kongresisti Schiff tha se presidenti i Ukrainës, Zelensky ishte “i ri në politikë kur ai u zgjodh në këtë pozitë dhe se ai kërkonte një marrëdhënie të mirë me Shtetet e Bashkuara”. Schiff gjithashtu tha që Trump u përpoq të “shfrytëzojë cenueshmërinë e aleatëve në avantazh të tij”.

Ligjvënësi republikan, Devin Nunes, i cili gjithashtu mbikëqyr seancën dëgjimore, tha gjatë fjalës së tij të hapjes, se e tërë seanca ishte “një shfaqje teatrore televizive e përgatitur nga demokratët”. Nunes gjithashtu tha se “ky spektakël shkakton dëme të mëdha për vendin”.

Senatori republikan dhe mbështetës i zëshëm i Trumpit, Lindsey Graham i tha Fox News se ai nuk do të vëzhgojë seancat dëgjimore sepse ato janë “jo-amerikane”.

“Unë mendoj se është një kërcënim ndaj presidencës. Unë nuk dua ta legjitimoj atë. Është jo-amerikane. Kjo i mohon bazat e një procesi të duhur”, ka thënë Graham.

Hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara ndaj presidentit, Donald Trump, mori zhvillime të reja pasi u vendos që ai të jetë publik dhe të transmetohet drejtpërdrejtë.

Dëshmitë e radhës

Më 15 nëntor, është planifikuar të dëshmojë, Marie Yovanovitch, ish-ambasadore në Ukrainë. Para se ajo të tërhiqej papritur në Uashington në muajin prill, Yovanovitch u tha hetuesve se ajo ishte paralajmëruar të “ruante vetën” pasi Giuliani dhe Trump e minuan aktivitetin e saj.

Tri dëgjime publike janë caktuar për javën e ardhshme. Ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland është planifikuar të dëshmojë më 20 nëntor. Në të njëjtën ditë do të dëshmojnë zëvendësndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper dhe nënsekretari i Shtetit, David Hale. Më 21 nëntor, pritet të dëshmojë ish-zyrtarja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Fiona Hill.

Të martën, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se deri në fund të javës do të nxjerrë transkriptin e bisedës së tij të parë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy që ndodhi më 21 prill.

“Në mënyrë që të vazhdoj të jem presidenti më transparent në histori, unë do të lëshoj dikur këtë javë transkriptin e telefonatës së parë dhe më të rëndësishme që kam pasur me presidentin e Ukrainës”, tha Trump.

Një telefonatë e 25 korrikut midis Trumpit dhe Zelenskiy është arsyeja kryesore që Dhoma e Përfaqësuesve nisi hetimin në kuadër të procedurës së shkarkimit të presidentit amerikan. Një informator, deri më tani i paidentifikuar, dërgoi ankesë duke thënë se biseda përbënte shkelje nga ana e presidentit amerikan.

Çfarë rregulla do të përdoren në transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave dëgjimore?

Kur miliona amerikanë do të shikojnë seancën e parë televizive në kuadër të procedurës së fajësimit ndaj presidentit amerikan Donald Trump, ata do të shohin një procedurë tjetër nga sa përdoret zakonisht për seancat e komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga demokratët miratoi një rezolutë që përcakton procedurat që udhëheqin hetimin, duke përfshirë detaje se kush mund të bëjë pyetje ndaj dëshmitarëve dhe afatet kohore për marrjen në pyetje. Këtu janë disa fakte rreth procesit:

Seancat dëgjimore publike po mbahen nga Komiteti i Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve. Kryetari i panelit, përfaqësuesi demokrat, Adam Schiff, do të drejtojë seancën. Kur Schiff do të hapë seancën, ai dhe republikani, Devin Nunes, pritet të bëjnë deklaratat hyrëse dhe më pas do të lejojnë dëshmitarët, diplomatët amerikanë William Taylor dhe George Kent, të bëjnë të njëjtën. Pastaj fillon marrja në pyetje e dëshmitarëve. Rregullat e aprovuara lejojnë që Schiff dhe Nunes të kryejnë raunde të shumta pyetjesh 90-minutëshe.

Schiff dhe Nunes ka të ngjarë t’i japin të paktën një pjesë të kohës së tyre avokatëve të komitetit që kanë kryer pjesën më të madhe të pyetjeve deri më sot në seancat e mbajtura pas dyerve të mbyllura. Pasi të përfundojnë këto raunde të marrjes në pyetje, Komiteti do të kthehet në formatin e zakonshëm të seancës, dhe secili ligjvënës mund të bëjë pyetje për pesë minuta.

Çfarë ndodh më pas?

Mund të ketë seanca të tjera publike të Komitetit të Inteligjencës. Pasi të mbarojnë seancat dëgjimore publike, Komiteti i Inteligjencës, së bashku me dy komitetet e tjera, pritet të raportojnë për gjetjet e tyre.

Ky raport do t’i dërgohet Komisionit Gjyqësor, i cili pritet të zhvillojë seancat e veta.

Më pas materiali i hartuar nga komiteti do të dërgohet në Dhomën e Përfaqësuesve për votim, që ka gjasa të ndodhë deri në fund të vitit. Gjyqi për të vendosur nëse përfundimisht do të shkarkohet presidenti zhvillohet në Senat, i cili kontrollohet nga Partia Republikane e Trumpit. /rel/

Leave a Reply

Your email address will not be published.