Kosova

FH: Ritmi i rënies së demokracisë në botë është “përshpejtuar”

Në raportin vjetor të organizatës Freedom House, sa i përket lirisë në botë, është thënë se pandemia vdekjeprurëse, pasiguritë ekonomike dhe fizike, si dhe konfliktet e dhunshme, që janë raportuar në botë, kanë rezultuar me humbje të mëdha të mbrojtes së demokracisë kundër armiqve autoritarë, duke zhvendosur ekuilibrin ndërkombëtar në të mirë të tiranisë.

Në raportin e titulluar “Demokracia nën rrethim 2021”, është thënë që më pak se një e pesta e njerëzve në botë tani jeton në shtete krejtësisht të lira.

Aktorët autoritarë janë bërë më të guximshëm më 2020, teksa demokracitë kanë bërë kthim mbrapa, duke rezultuar me vitin e 15-të me radhë që raportohet për rënie të demokracisë në botë, bazuar në raportet vjetore të përpiluara nga organizata me bazë në Uashington, Freedom House.

Në gjetjet e raportit është vërejtur se numri i shteteve “jo të lira” ka arritur në nivelin më të lartë, prej kur ka nisur përkeqësimi i demokracisë më 2006, dhe se numri i shteteve që kanë pësuar rënie në fushën e të drejtave të njeriut ka tejkaluar vendet që kanë shënuar përparim, në shkallën më të madhe në periudhë 15-vjeçare.

Situata në vendet e Ballkanit Perëndimor

Në Ballkanin Perëndimor është vërejtur edhe përparim dhe kthim mbrapa.

Në pjesën për Kosovën është thënë se “garda e vjetër politike” ka rrëzuar qeverinë jetëshkurtër të Albin Kurtit dhe ka formuar një të re, në mënyrë jokushtetuese.

Zgjedhjet me disa shkelje të raportuara në Serbi është thënë se i kanë dhënë goditje sistemit shumëpartiak në këtë vend.

Në Mal të Zi, ndërkaq është penguar rënia për të gjashtin vit me radhë, meqë zgjedhjet kanë rezultuar me transferimin e parë të pushtetit tek opozita, prej pavarësisë së këtij shteti.

Në Maqedoni të Veriut, raporti ka theksuar se është zgjedhur “një qeveri reformiste dhe institucionet kanë përjetuar rimëkëmbje prej dëmit të shkaktuar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski”.

Të gjitha këto vende janë renditur si pjesërisht të lira në raport.

India ndryshon status

Në raport janë ulur pikët për liri në 73 shtete, të cilat përfaqësojnë 75 për qind të popullsisë globale.

Në mesin e këtyre vendeve nuk përfshihen vetëm vendet autoritare si Kina, Bjellorusia apo Venezuela, por edhe demokracitë si Shtetet e Bashkuara dhe India.

India ka ndryshuar madje statusin nga vend i lirë, në vend pjesërisht i lirë, që nënkupton se më pak se 20 për qind e njerëzve në botë tani jetojnë në një shtet të lirë – proporcioni më i vogël nga viti 1995.

Të drejtat politike dhe ato qytetare kanë shënuar rënie në Indi, prej kur Narendra Modi është bërë kryeministër më 2014.

Në Bjellorusi dhe Hong Kong, shembull, protestat e mëdha pro-demokracisë janë përballur me shtypje brutale nga qeveritë, që kanë dënuar kritikat ndërkombëtare.

Ofensiva e ushtrisë së Azerbajxhanit në rajonin e Nagorno-Karabakut ka kërcënuar në mënyrë indirekte përparimin drejt demokracisë në Armeni, derisa konflikti i armatosur në rajonin Tigray të Etiopisë, ka shuar shpresat për hapje politike në këtë shtet nga viti 2018.

Në raport është thënë edhe se Pekini ka zgjeruar fushatën globale të dezinformimit dhe censurës, pjesërisht edhe për shkak të fshehjes fillestare që i ka bërë koronavirusit, i cili ka vonuar përgjigjjen ndërkombëtare ndaj pandemisë.

Përpjekjet në rritje të Pekinit janë vërejtur edhe në ndërhyrje të politikës të brendshme të demokracive të huaja, si dhe shtrirjet transnacionale të abuzimeve të të drejtave të njeriut në territorin e Kinës.

Nevoja për reformë në Shtetet e Bashkuara

Ndonëse ende të lira, Shtetet e Bashkuara janë përballur me rënie të shkallës së demokracisë gjatë vitit të fundit të presidencës së Donald Trumpit.

Shifrat e SHBA-së kanë rënë për 11 pikë në dekadën e fundit, duke përfshirë tri pikët e vitit 2020.

Një mori zhvillimesh më 2020 është thënë se kanë kontribuuar në këtë rënie.

Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump ka dëmtuar transparencën qeveritare, duke shkarkuar inspektorë gjeneralë, duke ndëshkuar sinjalizuesit dhe bërë tentime për të kontrolluar apo manipuliuar informacionin për koronavirus.

Në këtë vit ka pasur edhe protesta masive, ndonëse kryesisht paqësore, të cilat janë përcjellë nga rastet e profilit të lartë të dhunës, brutalitetit policor dhe përballjeve vdekjeprurëse me kundër-protesta.

Kjo situatë ka rezultuar me rritje të numrit të gazetarëve të arrestuar dhe fizikisht të sulmuar, kryesisht derisa kanë qenë duke mbuluar protestat.

Dhe krejt në fund, tentimet shokuese të Trumpit për të përmbysur rezultatin zgjedhor – që për rezultat kanë nxitur sulmin ndaj Kongresit nga mbështetës të Trumpit – kanë vënë institucionet zgjedhore nën presion të madh.

“Dita e 6 janarit duhet të jetë thirrje zgjimi për shumë amerikanë rreth brishtësisë së demokracisë amerikane”, ka thënë presidenti i Fredom House Michael J. Abramowitz.

“Administrata Biden, Kongresi i ri dhe shoqëria civile amerikane duhet të forcojnë demokracinë amerikane për të zgjeruar liritë civile për të gjithë. Njerëzit gjithandej përfitojnë kur Shtetet e Bashkuara prezantohen si model pozitiv dhe vendi i kthehet një bote më demokratike”.

Efektet e COVID-19

Përgjigjja qeveritare ndaj pandemisë së koronavirusit ka përkeqësuar rënien e demokracisë në botë.

Regjimet shtypëse dhe liderët popullistë kanë punuar për të zvogëluar transparencën, për të promovuar informacion të rremë dhe për shtypje të të dhënave që nuk janë të favorshme.

Shumë persona, që kanë bërë kritika ndaj menaxhimit të pandemisë nga disa qeveri, janë përballur me ngacmime dhe akuza penale.

“Izolimet me raste kanë qenë të tepruara, të politizuara dhe të zbatuara brutalisht nga agjencitë e sigurisë. Liderët kundër demokracisë në gjithë botën kanë përdorur pandeminë si arsyetim për të zvogëluar opozitën politike dhe për të rritur pushtetin”, është thënë në raport.

Aty është përmendur shembulli i Hungarisë, ku qeveria e kryeministrit Viktor Orban ka marrë fuqi shtesë gjatë krizës shëndetësore, dhe i ka keqpërdorur ato për të tërhequr ndihmën financiare për komunat e udhëhequra nga partitë opozitare.