SPORT

FFK: Pasi zgjodhi Kosovën prindërit e futbollistit serb Iviq largohen nga puna

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, ka lëshuar të premten pasdite një reagim lidhur me futbollistin e ri të Flamurtarit të Prishtinës, Ilija Iviq.

Sipas komunikatës së lëshuar nga FFK-ja, prindërit e këtij futbollisti të ri janë përjashtuar nga puna, pasi Iviq ka thënë se do të luajë për Kosovën.

Iviq, që i takon komunitetit serb, luan për Flamurtarin e Prishtinës dhe së fundi është ftuar nga U-19 e Kosovës.

Më poshtë publikojmë reagimin e plotë të FFK-së:

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës është tronditur sot me lajmin e mësuar nga drejtuesit e KF “Flamurtari”, se prindërit e futbollistit të ri të këtij klubi, Ilija Iviq, janë përjashtuar nga puna (nëna si shërbyese civile në Komunën e Graçanicës, e babai si punëtor arsimi) për shkak se djali i tyre ka pranuar të luajë për Kombëtaren U19 të Kosovës.

KE i FFK-së e dënon ashpër këtë akt qyqar të ndërmarrë nga drejtues të institucioneve që funksionojnë brenda sistemit të Republikës së Kosovës, por edhe të atyre të sistemit paralel serb, e që për qëllim kanë futjen e frikës tek bashkëqytetarët tanë serb, të cilët e shohin Kosovën si vendin e tyre dhe që duan të kontribuojnë në zhvillimin dhe ngritjen e saj edhe në futboll.

Është për keqardhje se si presioni i institucioneve të Serbisë është aq i shtrirë tek komuniteti serb që jeton në Kosovë, sa që nuk lejojnë që një futbollist i talentuar ta zhvillojë karrierën e tij ashtu siç dëshiron. Kjo dëshmon se sa e vrazhdë është politika serbe ndaj bashkëkombasve të tyre që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe që duan që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në paqe dhe në harmoni me bashkëqytetarët e tjerë në Kosovë.

Federata e Futbollit e Kosovës vazhdimisht ka qenë e hapur dhe është përpjekur t’u japë hapësirë të gjithë talenteve të futbollit, pa marrë parasysh se cilit komunitet i takojnë. Edhe në rastin e talentit Iviq, ne e kemi përkrahur fuqishëm vendimin e përzgjedhësit të Kombëtares U19, Ramiz Krasniqi, që ta ketë në dispozicion këtë futbollist dhe e kemi inkurajuar atë që t’i japë hapësirë të gjithë lojtarëve që e meritojnë të veshin fanellën e Kombëtares tonë.

FFK asnjëherë nuk i shikon futbollistët në baza kombësie, racore, përkatësie etnike apo fetare, por gjithmonë do të jetë e përkushtuar që t’i ftojë në kombëtaret e saj zinxhir futbollistët më meritorë.

Me këtë rast kërkojmë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, por edhe nga UEFA e FIFA që të reagojnë fuqishëm në parandalimin e dukurive të tilla diskriminuese që vijnë në vazhdimësi nga shteti serb. Kjo është ndërhyrje e pastër e politikës në sport dhe duhet të dënohet nga të gjithë.

Federata e Futbollit e Kosovës do të bëjë çmos që edhe në të ardhmen të gjithë të rinjve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike t’ju mundësojë hapësira për zhvillimin dhe shfaqjen e talentit në të gjitha trevat ku ata jetojnë, por edhe në ekipet kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.