SPORT

FFK-ja, me superkontroll në Superligë

Dyshimet dhe akuzat e zyrtarëve të klubeve të futbollit për kurdisje të ndeshjeve në Kosovë tashmë janë bërë të zakonshme. Zërat rriten sidomos në pjesën e fundit të sezonit, në veçanti në drejtim të klubeve që janë dorëzuar në garën për titull apo mbijetesë.

E pikërisht këta zëra e kanë shtyrë Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) Këshillin Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në ngjarjet sportive, Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës të bëjnë një superkontroll për xhirot e fundit të Superligës së Kosovës.

Deri në fund të këtij edicioni në elitën e futbollit kosovar kanë mbetur edhe pesë xhiro të pazhvilluara, si dhe finalja e Kupës. Burime të gazetës kanë mësuar se në disa ndeshje, ku mund të ketë dyshime për kurdisje, do të ketë nga dy zyrtarë të FFK-së, që do ta kenë rolin e superkontrollit

“Raporti përfundimtar varet nga superkontrolli. Raportet e tyre janë vendimtare, normal nga ajo që shihet në fushë, sjellja e delegatit, gjyqtarëve të ndeshjeve dhe të gjithë aktorëve tjerë të një ndeshjeje futbolli”, ka komentuar një zyrtar i FFK-së, në kushte anonimiteti, rolin e një superkontrollori të një ndeshjeje.

Në fakt, zyrtarisht për ndeshjen ndërmjet Llapit dhe Drenicës, të zhvilluar javë më parë kanë nisur hetimet e prokurorisë mbi dyshimet për kurdisje. Hetimet mbi dyshimet për kurdisje të kësaj ndeshjeje patën nisur pas informatës së kryetarit FFK-së, Agim Ademi. Por, jo vetëm për këtë ndeshje ka pasur hetime. Edhe në të kaluarën janë bërë hetime, por që deri tash asnjë nuk është përballur me Gjykatën, ndonëse Federata në disa raste ka marrë vendime sportive me rrëzim në rangjet më të ulëta të ekipeve, e po ashtu edhe heqje të pikëve. Megjithatë, kryetari i Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në ngjarjet sportive, Besim Kelmendi, ka thënë se ka kërkuar nga Policia e Kosovës të ndërmerren të gjitha veprimet për verifikim dhe përcjellje të çdo ndeshjeje ku mund të ketë dyshime për kurdisje.

“Nesër (e mërkurë v.j.) e kemi në rend të ditës këtë çështje edhe në takimin e Këshillit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dukurive Negative. Nuk mund të jap më shumë detaje”, ka thënë të martën për KOHËN Kelmendi, që është prokuror i Prokurorisë së Shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483