SPORT

Feronikeli e Llapi vazhdojnë garën për titull, Ferizaj mposht Ballkanin

Feronikeli ka fituar në shtëpi ndaj Gjilanit me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Industrialistët nuk kanë lejuar asnjë befasi në stadiumin “Rexhep Rexhepi” pasi kanë mposhtur me lehtësi ‘Skifterat’.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të vendasve, të cilët përveç shumë rasteve arritën të shënojnë edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm tetë minutave lojë dhe ishte i përhershmi Kastriot Rexha, i cili shënoi me kokë për 1-0 pas asistimit të Yll Hoxhës.

Për epërsinë 2-0 u përkujdes braziliani Jean Carioca, pasi në minutën e 35-të u tregua i saktë nga pika e bardhë.

Në pjesën e dytë, përsëri vendasit ishin më të mirë dhe krijuan më shumë, por edhe përkundër disa rasteve të krijuara rezultati mbeti i pandryshuar dhe ndeshja përfundoi me rezultat 2-0.

Pas kësaj fitore, Feronikeli mbetet në pozitën e parë me 68 pikë, ndërsa Gjilani renditet i shtati me 35 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Nikli udhëton te Drenica, ndërsa Gjilani e pret në shtëpi Flamurtarin. 

Me rezultat minimal prej 1-0, Llapi e ka mposhtur Dritën në ndeshjen e javës së 29-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll që u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Të dyja skuadrat i patën përpjekjet e tyre në fraksionin e parë të lojës, i cili përfundoi pa gola.

Ahmed Januzi dhe Festim Alidema ishin më të rrezikshmit për vendasit, derisa për mysafirët tentuan Haxhi Neziraj dhe Xhevdet Shabani.

Pas fillimit të pjesës së dytë, nikoqirët u angazhuan më shumë në përpjekje për ta zhbllokuar rezultatin dhe këtë e arritën në minutën e 72-të.

Festim Alidema shënoi një supergol me një goditje me këmbën e majtë duke e lënë të shtangur portierin Mario Kirev.

E në ndeshjen BallkaniFerizaj u shënuan gjashtë gola.

Topalli e Nebija shënuan për vendasit. Kurse për Ferizajn dy gola i shënoi Gashi, kurse nga një gol shënuan Dautaj e Krasniqi.

Tabela aktuale është kjo:

Image

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.