Kosova

Fëmijët nuk janë të kënaqur me metodat mësimore në shkolla

Këshilli Rinor i Kosovës ka publikuar raportin “Mos supozo nevojat e mia”, i cili ka për qëllim ekzaminimin e nevojave të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe adresimin e tyre në institucionet relevante.

Koordinatorja e projektit “Mos supozo nevojat e mia”, Rina Gosalci, deklaroi se raporti është bërë në 50 institucione shkollore në 7 regjione të Kosovës.

Sipas mostrës së realizuar, mosha mesatare e fëmijëve me nevoja të veçanta është 13.4 vjeç.

Gosalci bëri të ditur se ngecja intelektuale e fëmijëve është 18.1%, autizmi 3.5%, dëmtime fizike 72%., Down Sindrom 2.4 % dhe AHDA 4%.

“Raporti është përpiluar në kuadër të projektit Mos supozo nevojat e mia” të zbatuara nga Këshilli Rinor Kosovar nën mbështetje të Save dhe Children. Ky projekt ka për qëllim identifikimin e nevojave kryesore të fëmijëve me nevoja të veçanta në arsimin fillor në Kosovë dhe adresimin e tyre tek organet kompetente”.

“Hulumtimi në terren është bërë në shtatë regjione, Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, Pejë, Gjilan dhe Gjakovë, në 50 institucione shkollore të ndryshme nga klasa e 5 deri në klasën e 9. Koeficienti i besueshmërisë se njësive në pyetësor është 80. Mosha mesatare 13.4 vjeç. 40.48% janë vajza dhe 59.52% e tyre janë djem. Mostra është bërë nga fëmijë me diagnozë të ndryshme. Ngecje intelektuale 18.1%, autizëm 3.5%, dëmtime fizike 72%, Doën Sindrom 2.4 % dhe AHDA 4%”, u shpreh Gosalci.

Gosalci potencoi se duhet të ketë bashkëpunim ndërinstitucional që këto nevoja të trajtohen më shpejt dhe me një proces adekuat.

“Nevoja për përfshirje dhe mbështetje në procesin mësimor. Nevoja për përdorim të metodave konkrete gjatë orës mësimore. Nevoja për shoqëri, aktivitete shkollore, mësimdhënës mbështetës, infrastrukturë të përshtatshme, diagnostikim të saktë”, tha ajo.

Sipas raporti 57% e fëmijëve nuk janë të kënaqur me metodë e mësimit.

Siç tha ajo, është shqetësuese ngase nga raporti del se 57% e fëmijëve i kalojnë pushimet dhe kohën e lirë të vetmuar.

“57% nuk janë të kënaqur me metodën e përdorimit gjatë orës mësimore. 57% e tyre i kalojnë pushimet e vetmuar. Kjo gjë është shqetësuese. Në vendet me rurale ky problem është me i cekur. Ka në komunën e Ferizajt ku një mësuese mbështetëse përkujdeset për 6 shkolla të Ferizajt. 100% e fëmijëve nuk janë pjesë e aktiviteteve jashtë shkollore”, theksoi ajo.