Kosova

FDK, paralajmëron kallëzime penale ndaj veterinarëve abuzues në trajtimin e qenve

Fondacioni për të drejtat e kafshëve nuk është i kënaqur me trajtimin e qenve endacak nga ana e veterinarëve. Nga shumica e qendrave të trajtimit kanë shënuar rezultate jo të kënaqshme në punën profesionale të veterinarëve. Kështu thuhet në një deklaratë publike të FDK e cila ka hedhur dyshime në abuzimin mjekësor-veterinar që po i bëhet qenve endacak përgjatë projektit shtetëror për kastrim dhe sterilizim.

Me të filluar projekti i menaxhimit dhe kontrollit të qenve endacakë përmes metodës KSVL (kap, sterilizo/kastro, vaksino, lësho), kjo organizatë nga vizita nëpër qendrat e trajtimit të përkohshëm të subjekteve të kontraktuara në këtë projekt ka vërejtur shumë mangësi në punën profesionale. Me këtë rast Fondacioni për te drejtat e kafshëve ka kërkuar përkushtim profesional nga veterinerët, në mënyrë që përmes këtij projekti, të sigurohet kapje humane, sterilizim/kastrim profesional (nga veteriner me përvojë të gjatë në kafshë të vogla), qëndrim profesional (stafi dhe veterinarët që përkujdesen për qentë vazhdimisht në qendër) dhe të lëshohen saktë në vendin se ku janë zënë, në mënyrë që qentë tonë të komunitetit, të kthehen shëndosh e mirë në vendin se ku janë marrë.

“Kjo, nuk po ndodhë në të gjitha qendrat dhe shumë veterinerë që janë pjesë e projektit, gjatë punës së tyre të përditshme, nuk mund të vërtetojnë se punojnë me kafshë të vogla, siç është qeni”, thekson FDK.

Ata kanë shfaqur shqetësim lidhur me trajtimin e qenve të cilët zhduken, duke hedhur dyshim se vdesin, meqë nuk kthehen asnjëherë në vendin se ku janë marrë ndërkohë që një pjesë e veterinerëve amater , vetëm pasurohen me vuajtjet e qenve duke shpenzuar me gjak të qenve, paranë publike. Me këtë rast ata kërkuan që puna jo profesionale e cili do veterinar të ndalohet menjëherë.

“Nëse institucionet përgjegjëse e mbrojnë punën e dobët, jo profesionale dhe neglizhente të vetëm disa veterinerëve, duke njollosur profesionin dhe integritetin profesional të veterinarisë në Kosovë, ne nuk i mbrojmë ato dhe ngrisim zërin vazhdimisht që këto probleme të zgjidhen njëherë e përgjithmonë. Nuk do të lodhemi, këtu do të jemi. Ne mbrojmë jetët e qenve, që meritojnë trajtim dinjitoz, në maksimum”, thekson FDK.

Kjo organizatë në 37 vizita të subjekteve veterinere fituese, në gjithë Kosovën. Në 15 vizita (9 qendra të trajtimit të përkohshëm), nuk kanë qenë të kënaqur aspak, ngaqë puna profesionale veterinare, nuk ka qenë në nivelin e duhur.

Ata thonë se nëse AUVK nuk ndërmarr masa të merituara ndaj veterinerëve që neglizhojnë qëllimisht faktin se nuk bëjnë punë të mirë në sterilizime, që me vetëdije nuk janë vazhdimisht në qendër (apo dikush nga stafi) për të monitoruar gjendjen shëndetësore të qenve, pastërtisë dhe ushqyerjes, kapin dhe lëshojnë qentë në territore të huaja, ne do të ndërmarrim masa ligjore.

“Qentë nuk duhet të jenë mjet për eksperimentime nga veterinerët, por duhet kuptuar se janë krijesa të ndjeshme që duan të jetojnë të qetë në rrugë, në vendin se ku janë kapur (rasti në Mitrovicë, Prishtinë), apo edhe më keq, kapin bushtra gjidhënëse, duke i lënë këlyshët e saj të vdesin nga uria (rastet në Pejë, Gjilan)”.

Çdo rast abuziv, qoftë profesional mjekësor, qoftë në trajtim të kafshës në kapje, lëshim – FDK tha se do të dorëzojnë kallëzim penal në prokurori.

Njëherësh ata shprehin mirënjohje për ata veterinarë profesional për punën e tyre të mrekullueshme, deri më tani. /Kosova.info/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483