
Vetëm dy persona janë dënuar për krime lufte gjatë vitit 2019, një shqiptar dhe një rom.
Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, fillimisht u dënua me 14 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prizren, por atij nga Gjykata e Apelit në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, iu zbut dënimi në 10 vjet, raporton KTV.
Ndërsa Skënder Bislimi, i cili akuzohej për krime të luftës ndaj civilëve shqiptarë në rrethinën e Fushë Kosovës, u dënua me dhjetë vjet burgim.
Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se gjatë këtij viti nuk u shënua progres në dënimin e kryerësve të krimeve të luftës dhe në hetimin e tyre.
Gjatë 2019-s, u miratua Ligji i gjykimeve në mungesë në kuadër Kodit të Procedurës Penale, gjë për të cilën u tha se do të lehtësojë punën e Prokurorisë në nxjerrjen para drejtësisë të kryerësve të krimeve të luftës.
Por, zbatimi i tij në praktikë po shihet me skepticizëm.
Gjatë vitit 2019, nga Prokuroria Speciale e Kosovës janë ngritur dy aktakuza ndaj dy personave, Zoran Gjokiq dhe Nenad Arsiq.
KTV-ja ka pyetur Prokurorinë se a ka pasur avancim në hetimin e krimeve të luftës, cilat kanë qenë sfidat e Prokurorisë dhe a do të ketë aktakuza të reja gjatë vitit 2020, por as pas një jave nuk ka marrë përgjigjeje.
Ndërkohë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, që nga përfundimi i luftës e deri në dhjetor të vitit 2019, për krimet e luftës janë dënuar 67 persona, në mesin e tyre serbë, shqiptarë, romë e malazias.
Derisa vitin e kaluar u arrestuan disa persona të dyshuar për krime lufte, ku aktualisht procedura ndaj pesë prej tyre është në hetim, ndërsa ndaj gjashtë të tjerëve janë duke u zhvilluar procese gjyqësore në Gjykatat e Kosovës.