SPORT

Fatmir Makolli – sportist kulminant në Gjeneratën e Republikës

Sportet luftarake janë ballafaquar me vështirësitë të mëdha në vitet e 90-ta (1991-1999).

Të jesh sportist në sportet luftarake në vitet e 90-ta, shumë herë je akuzuar si sportist, se po përgatitesh për luftë. 
Këto akuza vinin nga regjimi kriminal serb.

Fatmir Makolli i takon Gjeneratës së Republikës. Ai ka qenë sportist kulminant në dy sporte: Kick-box dhe karate!
Makolli ka qenë sportisti më i mirë i vitit në Kosovë në vitin 1993 dhe po ashtu edhe i karatesë në vitin 1996-1997.

“Jam edhe sportist i dekadës 1990-2000 dhe në dhjetë sportistët më të mirë të shekullit”, – ka thënë Makolli.

Ai, së bashku me mijëra sportistë kontribuan për të mbajtur gjallë sportin. 

Nuk u ndalën asnjëherë, nuk u dorëzuan kurrë pavarësisht se çfarë kërcënime vinin nga regjimi serb, por vazhduan rrugën me krenari në zhvillimin e garave të Republikës së Kosovës. 

Makolli ka qenë halë në sy për regjimin e Beogradit, por as që mërzitej për këtë punë, ushtronte me fanatizëm duke korrur suksese jo vetëm në garat e Republikës së Kosovës. 

Ai sot është krenar që ka dhënë kontribut të madh në vitet më të rënda, kur jeta në çdo sekondë ka qenë në rrezik. 

Sot është kryetar i Federatës së Kick-Box-it të Kosovës dhe është i lumtur që brezi i sotëm lufton në garat zyrtare ndërkombëtare, për t’i sjell medalje Kosovës.