OPINION

Fati i Kosovës, të dielen sërish në duar të popullit !

Shkruan: Agron Abazi

-Në këtë vendin tim, ende vazhdon të jetohet duke shpresuar gjithnjë për një të ardhme më të mirë! Dhe vazhdojmë të jemi optimistët më të mdhenj në botë. Këtu, të gjithë e kanë gojën plot demokraci, e s’kanë të bëjnë as për së afërmi me të.

Jetohet duke kërkuar zgjidhjen me zgjedhje, e të zgjedhurit , zgjedhen për të mos e gjetur zgjidhjen. Të cenohet e drejta ta shprehësh hapur dëshirën dhe vendimin që merr për vetvete, sepse imponuesit, dëshirojnë që të jesh vegël e tyre gjatë gjithë jetës dhe je i keq nëse nuk je me arushën.

Vlerësohet i menqur vagabondi, e cilësohet i mjerë e frikacak intelektuali. Këtu, ka shumë për tu bërë,sepse as gjysma e gjysmës nuk është finalizu. Por, mbi të gjitha, urojmë të mbizotroj vetëdija e popullatës, e cila është arma më e fortë e shpëtimit të këtij vendi dhe po ashtu, kthim i shpresës së humbur të kësaj popullate. Duhet të eliminohet e harrohet një herë e përgjithmon, praktika e sundimit dhe linçimit.

Më tepër se kurrë, vendit tonë i duhet rikthimi i besimit në Institucionet qeverisëse dhe gjyqësore e në përgjithësi, rikthim i dinjitetit të nëpërkëmbër nga klanet e ndryshme. Kosova duhet ti kthehet popullit, e jo ti mbetet zhvatësve.

Partitë politike, nuk kanë treguar gatishmëri të paktën gjerë më tani, se kanë synim bërjen dhe ndërtimin e shtetit, por kapjen dhe sundim me pushtetin. Prandaj, me zgjedhjet e së dielës, Kosova po sprovohet edhe një herë karshi sfidave që e presin. Kosova, po mbetet edhe një herë në duar të fatit të këtij populli, i cili duhet të vendos për më të mirën e mundshme, me vetëdijen e plotë e duke vlerësuar dinjitetshëm, se kush duhet ta udhëheq vendin. S’ka rëndësi partia, s’ka rëndësi individi, por ka rëndësi shpëtimi i Kosovës nga e keqja.

Duhet mos u treguar naiv karshi interesit të Kosovës, sepse shitja e votës është shitje e të ardhmes së fëmijës suaj. Vendit i kemi borxh, t’ia rikthejmë krenarinë, të i’a rikthejmë buzëqeshjen sepse mjaft ka vajtuar nga pushtuesit.

Nuk e meriton ta mbajm të robëruar, sepse na lindi e rriti dhe nuk duhet t’ia humbim gjithë vlerën e çmuar që ka. Prandaj, të votojmë dinjitetshëm, pa anime e pa direktiva, pa hatër e pa inate. Të votojmë për Kosovën dhe të ardhmen më të mirë të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.