SPORT

FASK kërkon që të lejohen garat në automobilizëm

Pas zbehjes së pandemisë dhe lehtësimeve të bëra, madje edhe lejimit të rifillimit të futbollit, Federata e Auto Sportit e Kosovës kërkon që të lejohet zhvillimi edhe i garave në automobilizëm, sidomos të atyre në të cilat mundësia e përhapjes së virusit është fare e vogël, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

FASK-u shton se natyrisht që garat do të zhvillohen pashikues.

Për këtë arsye FASK ka mbajtur një mbledhje, pas së cilës ka lëshuar këtë njoftim lidhur me ndryshimin e kalendarit të garave dhe kërkesën për lejimin e tyre.

“Bordi i FASK-ut në mbledhjen e saj të datës 27.05.2020, ka analizuar situatën në të cilën gjendemi dhe ka miratuar ndryshimet në kalendarin e garave si dhe ka vendosur që te kërkohet leje për organizimin e garave”, thuhet në komunikatë.

Gjatë muajit qershor planifikohen të mbahen garat si në vijim:

13-14/06/2020, Disiplina: Drag, Vendi: Pista e vjetër e Aeroportit – Sllatinë

21.06.2020, Disiplina: Auto Slalom, Vendi: Pista e vjetër e Aeroportit – Sllatinë

26 – 28.06.2020, Disiplina Malore, Vendi: Kullë/Pejë.

“Duke u mbështetur në infrastrukturën sportive që e kemi në dispozicion dhe natyrën e sportit tonë, ku mund të ndërmerren të gjitha masat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik kundër përhapjes së pandemisë Covid 19, FASK ka bërë kërkesë në Institucionet e Republikës së Kosovës për lejimin e organizimit të aktiviteteve sportive. Posa të marrim një përgjigje nga institucionet përkatëse, ne do t’ju mbajmë të informuar”, thuhet në komunikatë.