Kombëtare

Familja italiane me fëmijë humb natën duke shëtitur, mirëpritet në fshatin Rabije

Një familje italiane ka humbur rrugën duke shëtitur nëpër Mallakastër, por në mbrëmje ata  janë mirëpritur në shtëpinë e një banori të fshatit Rabije.

Policia i ka gjetur mëngjesin e sotëm gruan shtatzanë më dy fëmijët dhe babanë e tyre në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Kjo është e disataherë që familjet shqiptare u janë gjendeur për ndihmë turistëve të huaj që kanë humbur orientimin veçanërisht gjatë natës, duke eksploruar natyrën.  

Njoftimi i Policisë:

Policia e Mallakastrës dhe banorë të zonës së Rabijes u vijnë në ndihmë turistëve italian.

Një familje italiane të cilët kishin ardhur për turizëm në Shqipëri, duke eksploruar vendin tonë kanë humbur rrugën gjatë natës dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër janë vënë në kërkim të turistëve dhe pas disa orë kërkimesh, turistët italianë, burri, gruaja shtatzënë dhe 2 fëmijët, u gjetën në kushte të mira shëndetësore dhe momentalisht ndodhen në banesën e një banori të zonës i cili, i mirëpriti ata në shtëpinë e tij.

Policia falenderon banorët e zonës për mikpritjen dhe ndihmën e dhënë në gjetjen e turistëve të huaj.