Kosova

Familja e Qerim Kelmendit në njëvjetorin e vrasjes së tij: Drejtësia ka dështuar ta zbardhë rastin

Këtë të shtunë është bërë një vit prej vrasjes së ish ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi.

Familja e tij përmes një komunikate për media, ka vlerësuat se organet e drejtësisë përgjatë një viti kanë dështuar që ta zbardhin këtë rast.

“Në një vjetorin e vrasjes së Heroit të Kosovës, Qerim Kelmendi, ne jemi thellësisht të indinjuar më mënyrën se si institucionet e drejtësisë e kanë trajtuar këtë vrasje të rëndë, përfshirë këtu Policinë dhe Hetuesinë e Pejës, Prokurorinë Themelore në Pejë dhe Prokurorinë Speciale të Kosovës”, thuhet në kumtesë, transmeton Klan Kosova.

“Mënyra e ekzekutimit të Qerimit, nga Prokuroria Themelore e Pejës, fillimisht është cilësuar si vrasje shumë e rëndë, shumë profesionale dhe tepër misterioze. Rasti i vrasjes së Heroit të Kosovës, Qerim Kelmendi, më vonë ka kaluar në Prokurorinë Speciale të Kosovës në Prishtinë.

Përkundër faktit se Prokuroria Speciale e Kosovës prej muajsh ka në trajtim këtë rast, deri me tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete në drejtim të identifikimit të autorëve të vrasjes dhe vënies së tyre para drejtësisë”.

“Ne, përfaqësuesit e familjes së Qerim Kelmendit, kemi takuar dy herë prokurorin e rastit në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Haki Gecaj si dhe gjatë kësaj periudhe njëvjeçare i jemi drejtuar me dy kërkesa zyrtare, me qëllim që të kuptojmë se në cilën fazë kanë mbërritur hetimet”.

Nga familja thonë se kanë shprehur paknaqësinë e tyre për vonesaën e zbardhjes së rastit, ku theksojnë se i kanë shkruar letër edhe prokurorit të rastit Haki Gecaj.

“Pas kësaj letre jemi ftuar në takim nga prokurori z.Gecaj, ku fatkeqësisht, më 22 shkurt 2021, në takimin tonë të fundit jemi njoftuar se akoma nuk ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve.  Duke parë këtë mungesë të seriozitetit në hetimin e këtij rasti, ne i bëjmë thirrje edhe kryeprokurorit të shtetit, z. Aleksandër Lumezi, që të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në kuadër të kompetencave të tij, për të zbardhjen e kësaj vrasjeje”.

“Çdo dështim për zbardhjen e vrasjes së Qerim Kelmendit, është dështim i institucioneve të drejtësisë për të ofruar drejtësi viktimës si dhe familjet e tyre. Siç dihet botërisht, Heroi i Kosovës, Qërim Kelmendit, ishte njëri ndër ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është ushtari i parë i plagosur i kësaj ushtrie. Zbardhja e kësaj vrasje makabër duhet të jetë pikënisje për zbardhjen e vrasjeve të të gjithë Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk kursyen asgjë për atdheun e tyre”.