Kosova

Familja Dehari s’përfshihet në akuzat mes Haki Abazit dhe Frashër Krasniqit për vdekjen e Astritit

Xhemile Dehari, nëna e Astritit, ka thënë se deklarimet e Haki Abazit lidhur me rastin e djalit të tyre kanë qenë të mëhershme. Ajo ka thënë se s’dëshirojnë të komentojnë akuzat e reja ndërmjet Haki Abazit në njërën anë dhe Dardan Molliqajt e Frashër Krasniqit në anën tjetër. Vdekja e Astrit Deharit ende s’është zbardhur krejtësisht. 

Pak ditë pasi Albin Kurti fitoi zgjedhjet i erdhi një kërkesë publike nga Dardan Molliqaj. Ky i fundit kërkoi nga Kryeministri në ardhje të sqarojë gjithçka që ka ndodhur me Astrit Deharin. 

Rasti i vdekjes së Deharit u rikthye në debatin publik pas reagimeve ndaj nominimit të Haki Abazit për Zëvendëskryeministër. Dikur Abazi i bënte përgjegjës disa zyrtarë të VV’së si vrasës së Astritit. 

Nëna e Astrit Deharit, Xhemilja thotë se s’dëshirojnë të hyjnë në këto debate politike. Thotë se deklarimet e Abazit ishin të mëhershme.

“Ato deklarata kanë qenë të mëhershme”, ka thënë Xhemile Dehari, për Express, të shtunën. 

Por, Haki Abazi në një shpjegim të tashëm ka thënë se kur ka folur për rastin Dehari fjalën e ka pasur për Frashër Krasniqin dhe Dardan Molliqaj, të cilët tash janë pjesë të PSD’së. 

“Shkrimi nuk ka të bëjë kurrgjë me Vetëvendosjen. Ka të bëjë me dy emra: me Frashër Krasniqin edhe Dardan Molliqajn në atë kohë, të cilët e kanë përdorë vrasjen e Astrit Deharit, për kredi politike për veti”, ka thënë Abazi.

Famlija Dehari ka thënë se s’dëshirojnë të bëhen pjesë e këtyre debateve lidhur me rastin e Astritit.

“Nuk kam koment rreth atyre deklaratave”, ka shtuar Xhemilja. 

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar vetëm Albulena Haxhiu, e propozuar për Ministre të Drejtësisë. Ka kërkuar nga Abazi të sqarohet lidhur me deklaratat për Rastin Dehari. 

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016 derisa po mbahen në paraburgim në Prizren si i dyshuar për sulm ndaj objektit të Parlamentit të Kosovës. Shteti kishte dështuar në trajtimin e Deharit pasi një të dyshuar për veprën më të rëndë penale e kishte lënë bashkë me të burgosur të tjerë. 

Veç kësaj, zyrtarët e shtetit kishin dhënë deklarata kontradiktore për vdekjen e tij, duke thënë fillimisht se i njëjti ka përdorë medikamente. 

Një hetim i ri ka filluar pas një ekspertize të ardhur nga Zvicra që kërkon hetime të reja lidhur me vdekjen e studentit të mjekësisë. Aty, thuhet se është pak e mundshme që i njëjti të ketë kryer vetëvrasje dhe kërkon hetime nëse dikush tjetër është i përfshirë në vdekjen e anëtarit të Vetëvendosjes. 

Këtë raport, familja dhe avokati Tomë Gashi e kanë interpretuar si dokument që vërteton se Astrit Dehari “është vrarë”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.