Hi Tech

Facebook përmbys ndalesën për lajme në Australi

Facebook ka njoftuar se do të rikthejë përmbajtjen e lajmeve për përdoruesit e kësaj platforme në Australi.

Gjiganti teknologjik ka bllokuar lajmet për australianët prej të enjtes së kaluar, pas mospajtimeve rreth një ligji, që do të detyronte atë dhe Google që të paguanin botuesit e lajmeve për përmbajtjen.

Josh Frydenberg nga Departamenti australian i Thesarit, ka deklaruar se shefi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, i ka thënë atij se ndalesa do të përfundojë “në ditët në vijim” pasi palët kanë zhvilluar bisedime.

Frydenberg ka thënë se amendamentet do të shndërrohen në ligj.

“Facebook e ka bërë sërish mike Australinë”, u ka thënë ai gazetarëve në Kanberra të martën.

Qeveria australiane ka debatuar për këtë ligj – që është parë edhe si test për rregullatorët globalë – në Senat, pasi i njëjti është miratuar në dhomën e ulët të parlamentit javën e kaluar.

Pse ka bllokuar Facebook përmbajtjen e lajmeve?

Të enjten e javës së kaluar, kur australianët janë zgjuar, kanë kuptuar se nuk kanë qasje në material informativ në llogaritë e tyre.

Facebook ka argumentuar se është detyruar të bllokojë lajmet australiane, si përgjigjje ndaj legjislacionit të propozuar.

Kodi qeveritar për lajme synon të krijojë një proces negociues më të drejtë në mes të gjigantëve teknologjikë dhe kompanive të lajmeve, sa i përket vlerës së përmbajtjes me lajme.

Mirëpo një gjë e tillë është kundërshtuar nga Facebook dhe Google, të cilat kanë argumentuar se ky kod nuk është në përputhje me mënyrën si funksionon interneti.

Facebook po ashtu ka thënë se ka pak përfitime nga përmbajtja me lajme.

Mirëpo Qeveria australiane ka thënë se kodi është i nevojshëm “për të niveluar fushën e lojës” për publikuesit e lajmeve, të cilët janë përballur me rënie të fitimeve në kohën e internetit.

Çfarë ndryshoi mendimin?

Facebook ka thënë të martën se ka marrë garanci të reja nga diskutimet me qeverinë.

“Qeveria e ka qartësuar se do të duhet të ketë mundësi për të vendosur nëse lajmet paraqiten në Facebook, në mënyrë që të mos jenë subjekte automatike të negociatave të sforcuara”, ka thënë Campbell Brown, nënpresident i partneritetit global të lajmeve në Facebook.

“Ne kemi arritur te një marrëveshje, e cila do të na lejojë të mbështesin publikuesit që duam ne, përfshirë ata të vegjël dhe lokalë”.

Facebook tani veçse ka një produkt për lajme – përmes së cilës u paguan një tarifë organizatave mediale për të shfaqur materialet e tyre në atë platformë.

Megjithatë, ky produkt është i qasshëm vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Google po ashtu ka kërcënuar me tërheqje të makinës së saj të kërkimit nga Australia, mirëpo kompania së fundmi ka arritur marrëveshje me kompanitë lokale të mediave, përfshirë Nine Entertainment, Seven West Media dhe News Corporation, në pronësi të Robert Murdoch.

Çfarë thotë qeveria tani?

Qeveria dhe Facebook kanë arritur një lloj kompromisi.

Autoritetet australiane do të prezantojnë katër amendamente tjera, përfshirë një që nënkupton se qeveria mund të mos zbatojë kodin e Facebook-ut, nëse mund të demonstrojë “kontribut të rëndësishëm” në gazetarinë lokale.

Ato përfshijnë një periudhë dymujore të ndërmjetësimit, përpara se të fillojë arbitrazhi i zbatuar nga qeveria – duke u dhënë palëve më shumë kohë për të arritur një marrëveshje private.

Kompania më e madhe australiane Nine Entertainment, ka thënë se është e gëzuar që qeveria ka gjetur kompromis dhe është mezi pret të rinisë bisedimet për marrëveshje komerciale.