Hi Tech

Facebook dënohet me gjobë prej pesë miliardë dollarësh

Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dënuar rrjetin social Facebook me gjobë prej pesë miliardë dollarësh.

Sipas The Wall Street Journal, përcjell Telegrafi, FTC si rezultat i hetimit të filluar vitin e kaluar ka dënuar Facebookun me pesë miliardë dollarë për arsye se ka përdorur paautorizim dhe në mënyrë të paligjshme të dhënat personale.

Që të finalizohet vendimi duhet ta miratojë edhe Departamenti i Drejtësisë, ndërsa nuk dihet se sa do të zgjasë ky hetim, ndërsa nga ana tjetër Facebook nuk ka bërë ndonjë sqarim në lidhje me këtë.

Gjoba është dënimi më i madh i dhënë ndonjë kompanie teknologjike dhe ka tejkaluar dënimin e Google të vitit 2012 prej 22.5 milionë dollarëve.

Facebook vitin e kaluar arriti 56 miliardë dollarë të ardhura, ndërsa këtë vit pritet të jenë rreth 69 miliardë dollarë.

Senatorja demokrate Elizabeth Warren, e cila kandidon për presidente në zgjedhjet e 2020-së është shprehur për shpërbërjen e kompanive si në rastin e Facebook do të bëhej ndarja nga WhatsApp dhe Instagram.

Rrjeti social u përball me akuza të rënda, pasi u bë e ditur se kompania për konsulencë politike Cambridge Analytica, ka pasur qasje në të dhënat personale të miliona amerikanëve gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Në prill të vitit të kaluar, shefi i kompanisë Mark Zuckerberg vullnetarisht dëshmoi në prani të kongresistëve amerikanë lidhur me zbulimet e Cambridge Analytica.