Bota

Evropianët e bllokuar ndërmjet Kinës dhe ShBA-ve

Ajo do që samiti të mbahet pa marrë parasysh të gjitha. Të mërkurën e shkuar, kancelarja gjermane, Angela Merkel, mbajti një videokonferencë me liderët e grupeve politike të Parlamentit Evropian për ta diskutuar presidencën e ardhshme të Gjermanisë në Këshillin Evropian, që do të nisë në korrik.

Për gjashtë muaj, Berlini do ta përcaktojë një agjendë për Bashkimin Evropian, e kaherë është bërë e qartë se Merkeli e sheh Kinën si prioritetin kryesor të politikave të Jashtme. Ç’është e vërteta, ajo ka planifikuar një samit të madh në Leipzig nga 13-15 shtatori, në të cilin do të marrin pjesë shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së, bashkë me presidentin kinez, Xi Jinping, raporton DER Spiegel.

Në videokonferencën e kaluar, lideri i grupit parlamentar të Partisë së Gjelbër, Ska Keller, deshi të dinte nëse plani mund mbase të rishqyrtohej, duke i pasur parasysh shkeljet që i bënte Kina të drejtës ndërkombëtare me ngushtimin e lakut përreth Hong-Kongut. Por, Merkeli as që do të përfshihet në këtë diskutim dhe i është shmangur pyetjes, përcjell KOHA.

Përfundimisht, është më se e qartë: qasja e BE-së kundruall Kinës do të bëhet gurthemel i politikës së jashtme të presidencës gjermane në KE. Pikë.

Kina dhe BE-ja

Kurrë më parë në historinë e bllokut, të 27 liderët e BE-së nuk janë mbledhur si një grup me një udhëheqës të huaj shteti. Dhe tani, konsultimi i parë i tillë nuk do të jetë me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – një partner i NATO-s dhe garantues i sigurisë evropiane – por me presidentin autoritar të Republikës Popullore të Kinës.

Samiti, kësisoj, do të bëhet një simbol sesi ndikimi dhe aleancat ndërkombëtare po lëvizin aktualisht drejt një rendi botëror që po definohet përherë e më shumë nga konkurrenca midis SHBA-së dhe Kinës. Takimi i shtatorit do t’i definojë rolet e Evropës dhe Gjermanisë në këtë rivalitet – jo, natyrisht, anën e Kinës, por në dialogun intensiv me Pekinin dhe në një distancë të konsiderueshme nga aleatët tradicionalë amerikanë të Gjermanisë.

Pandemia e koronavirusit i ka përshpejtuar zhvillimet që kaherë kanë qenë të dukshme: sprapsjen e SHBA-së nga skena ndërkombëtare, kapjen e qartë të pushtetit nga Kina, konfrontimin më thellim midis dy fuqive dhe varshmërinë e tyre nga propaganda për të influencuar pjesën tjetër të botës.

“COVID-19 ka ngritur temperaturën midis SHBA-së dhe Kinës. Brishtësia e Perëndimit është thelluar”, ka thënë një zyrtar i lartë gjerman.

Nga këndvështrimi gjerman, tjetërsimi prej SHBA-së së prirë nga Trumpi po vazhdon me shpejtësi. Kjo në njërën anë. Në anën tjetër, megjithatë, Kina po bëhet përherë më e vetëvarur, teksa kërkon ta zgjerojë ndikimin dhe, në Hong-Kong, Pekini po e sfidon drejtpërsëdrejti Perëndimin.