Bota

Europol-i shkatërron grupin që prodhonte ilaçe të falsifikuara

Shërbimi policor evropian Europol, ka njoftuar se ka arrestuar në flagrancë 165 persona, anëtarë të 12 grupeve të krimit të organizuar, që prodhojnë ilaçe të falsifikuara dhe i fusin në treg në Evropë.

Në deklaratën e bërë nga Europoli, thuhet se në operacionin e organizuar nën udhëheqjen e ekipeve nga Franca dhe Finlanda, u arrestuan gjithsej 165 persona nga rreth 10 shtete, raporton KOHA.

Në operacionet e zhvilluara mes korrikut dhe tetorit të vitit 2019, janë konfiskuar 36 milionë njësi të ilaçeve të falsifikuara.

Në deklaratë, Europoli tërheq vëmendjen në rritjen e kontrabandës së ilaçeve dhe prodhimin e ilaçeve të falsifikuara. Gjithashtu theksohet se në 3 vjetët e fundit janë kapur rreth 600 kontrabandues të ilaçeve dhe se janë konfiskuar 123 milionë njësi të ilaçeve të falsifikuara.