Bota

Etiopia fillon bombardimin e ashpër në rajonin Tigray, frikë për viktima civile

Kryeqyteti i rajonit Tigray në Etiopi, Mekelle, është duke u bombarduar rëndë nga ushtria etiopiane, ka thënë një burim në terren dhe dëshmitarët që janë zhvendosur.

Bombardimi i qytetit filloi dy ditë pas paralajmërimit të kryeministrit Abiy Ahmed se vendi ka hyrë në fazën përfundimtare të zbatimit të ligjit përmes një operacioni ushtarak, shkruan CNN.

Bombardimet në qytetin Mekelle i konfirmoi përmes një mesazhi dërguar agjencisë Reuters edhe lideri i Frontit Popullor të Tigrayt për Çlirim, Debretsion Gebremichael.

Ndërprerja e linjave telefonike dhe internetit në rajon e ka vështirësuar raportimin dhe verifikimin e pretendimeve nga të dyja palët dhe vlerësimin e gjendjes në terren.

Udhëheqësit ndërkombëtarë vazhdimisht kanë shprehur shqetësim për pengimin e ndihmave humanitare dhe mundësinë e dhunës kundër civilëve gjatë përleshjeve mes palëve të konfliktit.

Sipas organizatës UNICEF, në Mekelle jetojnë rreth 500 mijë banorë dhe gjysma e tyre janë fëmijë.

“U bëj thirrje liderëve etiopianë që të bëjnë gjithçka që është e mundshme për t’i mbrojtur civilët, për t’i respektuar të drejtat e njeriut dhe për të siguruar qasje humanitare”, tha të mërkurën sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Konflikti në Etiopi shpërtheu pasi liderët rajonalë mbajtën zgjedhje në kundërshtim me urdhrin e qeverisë qendrore. Kryeministri Ahmed u dha tri ditë ultimatum rebelëve që të dorëzohen, por ata refuzuan.