Bota

Eskalon situata në protestat e Libanit, shënohet viktima e parë

Protestat kundër qeverisë së Libanit kanë përshkallëzuar ditën e sotme. Me mijëra protestues u mblodhën në qendër të Bejrutit dhe u përplasën me policinë.

Disa persona arritën të futen në mjediset e Ministrisë së Jashtme dhe te Shoqata e Bankave, ndërkohë që policia është përgjigjur me gaz lotsjellës.

Sipas AFP, të paktën një polic ka vdekur gjatë përplasjeve, ndërkohë që Kryqi i Kuq Libanez thotë se 63 persona janë dërguar për mjekime në spital ndërsa 175 të tjerë janë mjekuar në terren, raporton Euronews.al.

Protestat vijnë pas shpërthimit të fuqishëm që ndodhi në portin e Bejrutit, që la pas 158 të vdekur dhe rreth 300 mijë të pastrehë. Zyrtarët thanë se shpërthimi kishte ndodhur për shkak të një anijeje me 2750 ton nitrat amoni që mbahej prej gjashtë vitesh në port.

Kryeministri i vendit u ka bërë thirrje partive opozitare që t’i lënë ndasitë mënjanë dhe ka premtuar zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që protestuesit janë parë të përplasen dhunshëm me policinë.

Protestat kundër qeverisë kanë vazhduar prej disa muajsh në Bejrut, të nxitura nga kriza më e rëndë ekonomike që kishte parë vendi, e cila bëri që monedha vendase të bjerë rreth 80% karshi dollarit.

Protestuesit kanë protestuar disa herë, duke akuzuar qeveritarët për korrupsion e duke sulmuar sidomos bankat. Qeveria, nga ana tjetër, po diskuton me FMN-në për të shpëtuar ekonominë.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483