Kosova

ESI: BE të refuzojë idetë për ndryshimin e kufijve

Bashkimi Evropian do të mbyllë urgjentisht kutinë e Pandorës për bisedime të mëtejshme për ndryshimin e kufijve në Ballkan, sipas Iniciativës Evropiane të Stabilitetit (ESI), në analizën “Hipnotizuesi – Aleksandar Vuçiq, John Bolton dhe kthimi në të kaluarën”, e cila u publikua përpara takimit në Berlin.

Raporti, i cili analizon në detaje situatën aktuale dhe tensionet në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, thotë se është befasuese suksesi i fundit i presidentit serb Aleksandar Vuçiq në “ri-paketimin” e idesë për ndryshimin e kufijve si progresiv jo-konvencional dhe përtej mendimit normal.

Iniciativa në raport thotë se Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftuan vitin e kaluar në një konferencë në Albah të Austrisë, se ata po konsiderojnë një ndryshim të kufirit si pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kjo ide erdhi në të kuptuarit e disa diplomatëve evropianë dhe që nga viti 2018 ka mbështetje në ShBA, pasi John Bolton u bë këshilltar i sigurimit kombëtar të presidentit amerikan Donald Trump”, thuhet në raport, në të cilin përkujtohet kundërshtimi i ashpre i kancelares gjermane Angela Merkel lidhur me këtë ide.

Ndryshimi në pozicionin e ShBA thuhet të jetë i mirëpritur në Serbi, “si një ndryshim historik dhe sukses historik”, pasi Uashingtoni deri atëherë e ka konsideruar çështjen e Kosovës të zgjidhur.

ESI konkludon se BE duhet të refuzojë idetë për ndryshimin e kufijve dhe të konfirmojë parimet nën të cilat Serbia ka hapur bisedimet për anëtarësim, e cila përfshin një normalizim gradual të marrëdhënieve me Prishtinën.

“BE duhet gjithashtu të mbështesë lëvizjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt zonës Shengen deri në vitin 2030, me synimin konkret që deri në atë kohë të gjitha kufijtë e Ballkanit të bëhen të padukshëm”, thuhet ndër të tjera në raport, transmeton KosovaPress.

Ndryshe, Iniciativa Evropiane e Stabilitetit ESI u krijua në Sarajevë në qershor të vitit 1999 nga një grup i analistëve me përvojë të gjerë në rajon, si një platformë që merret me proceset politike në Evropën Juglindore dhe zgjerimin e BE-së, dhe sot operon në tre qendra – në Berlin, Bruksel dhe Stamboll.