Bota

Është agim i ri në Lindjen e Mesme marrëveshja në mes të Bahrejnit dhe Izraelit, e thotë presidenti amerikan

Presidenti Trump e ka quajtur momentin e nënshkrimit të marrëveshjes si “Agimin e një Lindjeje të re të Mesme”.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përshëndetur “Agimin e një Lindjeje të re të Mesme”, teksa janë nënshkruar marrëveshjet në mes të Izraelit dhe shteteve të Gjirit, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Të trija këto shtete i kanë konsideruar marrëveshjet si historike, ashtu sikurse vetë Trumpi, administrata e të cilit ka ndërmjetësuar arritjen e tyre. Këto dy shtete të Gjirit janë vetëm të tretat, respektivisht të katërtat që njohin Izraelin prej themelimit të këtij shteti më 1948.

Trump shpreson që edhe shtetet tjera do ta ndjekin këtë shembull shpejt, mirëpo palestinezët kanë bërë thirrje për të kundërtën ndërkohë që konflikti i tyre me izraelitët vazhdon të jetë i pazgjidhur.

Për dekada, shumica e shteteve arabe kanë bojkotuar Izraelin, duke insistuar se do të krijojnë lidhje vetëm pasi të zgjidhet mospajtimi me palestinezët. “Pas dekadave të ndasive dhe konfliktit, ne shënojnë agimin e një Lindjeje të re të Mesme”, u ka thënë Trump një turme prej qindra personave në Shtëpinë e Bardhë.

Gjermania planifikon të ofrojë strehim për 1,500 emigrante që aktualisht janë në ishujt grekë, kanë thënë disa burime qeveritare për agjencinë e lajmeve AFP, ndërkohë që çështja e ndjeshme e emigranteve është përfshirë sërish në agjendën politike të Bashkimit Evropian, pasi një zjarr ka shkatërruar një kamp të stërngarkuar të emigrantëve në ishullin grek Lesbos.

Rreth 12,000 ish-banorë të kampit Moria në Greqi janë duke jetuar aktualisht në ndërtesa të braktisura, apo rrugë, pasi kampi është shkatërruar më 8 shtator. Teksa rritet presioni ndaj bllokut evropian për ta bërë punën e tij, Berlini veçse i është bashkuar iniciativës evropiane për të strehuar 400 fëmijë të pashoqëruar të këtij kampi. Mirëpo përveç 150 fëmijëve tjerë, Gjermania po ashtu planifikon të mirëpresë familjet me fëmijë që tashmë kanë siguruar statusin e refugjatit dhe mund të mos jenë nga kampi Moria, është cituar një plan i miratuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer.

Ky plan është thënë të jetë krijuar pasi qytetet gjermane i kanë bërë thirrje Berlinit që të bëjë më shumë. Qeveria e Merkelit ka insistuar se duhet të gjendet një zgjidhje evropiane për këtë çështje në vend të individualitetit. Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë në Athinë, teksa ka takuar kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, se BE-ja duhet të ofrojë “përgjigje të fuqishme dhe efikase” për problemin e migrimit.

Udhëheqësi i opozitës ruse Aleksei Navalni publikoi një foto të tij në shtratin e një spitali në Berlin të martën ndërsa po kurohet nga helmimi me një agjent nervor muajin e kaluar në Siberi. Zoti Navalny, i rrethuar nga familja e tij, tha se ishte i kënaqur që ishte në gjendje të merrte frymë vetë.

“Më mungoni të gjithë”, shkruante zoti Navalni në postimin në postimin e tij në Instagram. “Ende nuk mund të bëj dot asgjë, por dje munda të merrja frymë gjithë ditën vetë”, shtonte ai.

Kjo është fotoja e parë e shpërndarë publikisht e zotit Navalni që kur ai u dërgua në spitalin Charite të Berlinit, vetëm dy ditë pasi u sëmur gjatë një fluturimi në Rusi më 20 gusht. Zëdhënësi i tij konfirmoi menjëherë pas postimit të fotos, se 44-vjeçari kishte në plan të kthehej në Rusi. Gjermania, Franca dhe Suedia kanë dalë në përfundimin se zoti Navalni u helmua me Novichok, një agjent nervor i periudhës sovjetike që Britania tha se ishte përdorur gjithashtu edhe ndaj ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Salisbury, Angli dy vjet më parë. Vendet perëndimore kanë kërkuar shpjegim nga Moska, e cila thotë se akuzat se ajo ishte përfshirë në helmim janë të pabaza. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të martën se Moska ka nevojë që Gjermania t’i japë informacion për të sqaruar atë që ndodhi. Zoti Peskov tha se autoritetet ruse nuk mund të kuptojnë pse laboratorët francezë dhe suedezë u lejuan të testojnë mostrat mjekësore të zotit Navalni dhe Rusia jo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483