Kosova

Erdogan dhe Spasovski urojnë Hotin dhe shprehin gatishmëri të bashkëpunojnë me të

Presidentët e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe ai Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski kanë uruar kryeministrin Avdullah Hoti për marrjen e detyrës.

Përmes letrave dërguar Hotit, të dy presidentet janë shprehur të gatshëm për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën.

Erdogan ka shkruar se Turqia edhe më tutje do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën

“Solidariteti midis vendeve tona ka fituar rëndësi në luftën kundër pandemisë COVID-19 e cila ka kapluar tërë botën. Shpresoj që furnizimet mjekësore, të cilat i kemi dërguar kanë kontribuar në luftën e Kosovës kundër pandemisë COVID-19. Ju përcjell ngushëllimet e mia për vëllezërit tanë kosovarë që humbën jetën për shkak të pandemisë ndërsa të prekurve u uroj shërim sa më të shpejtë. Besoj se marrëdhëniet tona bilaterale, rrënjët e të cilave shtrihen në lidhjet miqësore dhe vëllazërore, do të zhvillohen më tej dhe me këtë rast, unë riafirmoj dëshirat e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë e Shkëlqesisë Suaj, si dhe mirëqenien dhe prosperitetin e popullit mik dhe vëlla të Kosovës”, ka shkruar ai.

Ndërkaq Spasovski ka shkruar se mbeten të hapur për të forcuar bashkëpunimin brenda proceseve të të dyja vendeve për integrimin dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal.

“Jam i sigurt se dy vendet tona do të vazhdojnë të punojnë në drejtim të intensifikimit dhe promovimit të marrëdhënieve të gjithanshme bilaterale, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, në interes të qytetarëve tanë dhe për zhvillimin e vendeve tona”, thuhet në njoftim.