SHËNDETËSIA

Epidemia e fundit e Evropës që u soll në Jugosllavi nga imami kosovar më 1972

Më 1970, pak para dimrit, një familje afgane zbriti nga malet e Heratit e infektuar me li endemike. Morën një kamion, shkuan për t’u falur në Mashhad dhe u kthye në shtëpi duke lënë pas qindra të infektuar.

Në ato kohë fluturohej më pak dhe u deshën gati dy vjet që lija e zezë të pushtonte kontinentin, të arrinte në Jugosllavi e të shpërthente epideminë tashmë të harruar e të fundit në Evropë para coronavirusit.

Edhe atëherë ndodhi mes shkurtit e marsit. Më 1972. Edhe atëherë gjithçka nisi nga Azia, me një zinxhir infektimesh rastësore e të pandalshme: në fillim ishin besimtarët iranianë të infektuar nga familja afgane që u përhapën në Irak, Siri e Mekë; pastaj një imam shqiptar nga Kosova që kthehej nga pelegrinazhi në Qabe; më pas një mësues shkolle që në fillim të shkurtit u shkëmbye me imamin rrugëve të Gjakovës.

Mjekët nuk ishin në gjendje të kuptonin se çfarë ishte ai grip i çuditshëm që godiste njerëzit me 40 gradë e me puçrra. Të prekurit u futën në karantinë.

Në vitet ’70, Evropa mendonte se e kishte zhdukur linë e zezë prej gati gjysmë shekulli. Kështu mendonte. Faqet e para të gazetave të kohës flisnin për njoftimin e vizitës së Nixonit në Iran, diskutimet për fitimin e Çmimit Nobel në letësi nga Solzhenicin, lajme nga lufta në Vietnam.

Për pak kohë, autoritetet përtej perdes së hekurt u sollën njësoj si kinezët me coronavirus në vjeshtën e kaluar: e mbajtën fshehur atë që e konsideronin turp – si mundej një parajsë e socializmit të kthehej në një ferr lije?

Në Italinë fqinjë titujt e parë u shfaqën më 24 mars në Corriere della Sera, në faqen 5: ‘Lija e zezë, edhe në Beograd vaksinim i detyruar’ (me deklaratën qetësuese të qeverisë jugosllave se nuk kishte motive alarmi).

Shpejt u kuptua katastrofa që rrezikohej. Në pak ditë, lajmi doli në faqet e para pasi mijëra jugosllavë përfunduan në terapi. Vëllezërit socialistë të Bullgarisë, Rumanisë e Hungarisë mbyllën menjëherë kufijtë.

Në Gjermani e Austri, ku u zbulua se kishte kaluar një emigrant kosovar i infektuar, u vunë në izolim dhjetëra persona. Izraeli bllokoi fluksin e udhëtimeve për pashkët. Italia vuri në fuqi detyrimin e paraqitjes së një certifikate vaksinimi, duke hapur zyra higjiene në kufi me Triesten, me radhë të gjata kufitarësh gati për të bërë vaksinën.

Në pak orë u bënë dhjetë mijë vaksina të dërguara nga ministria e shëndetësisë. Në Venezia e Ancona, anijet jugosllave u lanë radë për ditë të tëra, në pritje të kontrolleve. Një alarm fals në Sardenja shkaktoi orë paniku. Trageteve që mbërrinin në Bari iu vunë rregulla të ashpra për zbritjen e pasagjerëve, përfshirë vaksinimin në bord.

Jugovirusi u kap në kohë: 35 të vdekur, disa mijëra të infektuar. Ekzistonte vaksina, dhe kjo bëri diferencën. Nuk ekzistonin grupet anti-vaksinë dhe kjo ndihmoi. Por mbi të gjitha ishte përgjigja e Titos, një reagim që në numra ishte i denjë për krahasim me Kinën.

Dy javë pasi u individualizuan dy pacientët e parë, regjimi vendosi ligjin ushtarak. Kordonë sanitarë, blloqe rrugore, hotele të kthyer në karantinë. Të infektuarve, të mbyllur në spitale ushtarake, iu bënë doza kuajsh me penicilinë, tetraciklinë, gammaglobulinë.

Dhe në 14 ditë, në një situatë totale emergjence, u organizua një nga fushatat më gjiganteske  që është parë ndonjëherë: 18 milionë jugosllavë, me një mesatare 1.3 milionë në ditë, u vunë në rresht për t’u vaksinuar.

Funksionoi. Më 21 prill u zgjidh rasti i fundit i një zvicerani të kthyer nga Beogradi dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi të fikur flakën e lisë së zezë. Në dy muaj, Jugosllavi arriti të zhdukte një epidemi që po zgjonte kujtimet e ankthshme të miliona të vdekurve, të një sëmundjeje të vjetër e globale që në histori nuk ka kursyer as perandorë kinezë e inka, faraonë Egjipti e carë, Stalinin dhe indianin lëkurëkuq Demi i Ulur, Mozartin e George Ëashingtonin.

‘Arritëm të mposhtnim një armik që mund të na shfaroste’, shpalli Tito: beteja e tij finale, tre vjet para se të vdiste.

Një vatër lije e zezë mbeti ndezur në Bririn e Afrikës, deri sa më 1977 u diagnostikua pacienti i fundit në Somali, me zhdukjen totale të virusit nga faqja e tokës. Në një rezolutë botërore u shpall fitorja: ‘OBSH deklaron solemnisht që bota dhe popujt e saj kanë fituar lirinë nga lija e zezë’. Pikërisht me këtë fjalë: Lirinë. Atë që presim të gjithë edhe nga coronavirus.

Marrë nga Corriere della Sera