Emigrantët që vdiqën në aksidentin e Këlcyrës vinin nga Pakistani, konfirmon Policia

Policia shqiptare ka konfirmuar të mërkurën se shtatë emigrantët, të cilët vdiqën në një aksident me veturë një ditë më parë në jug të Shqipërisë, janë nga Pakistani.

Policia e qarkut të Gjirokastrës tha se i ka arrestuar dy të dyshuar dhe është në kërkim të një tjetri, i cili besohet të jetë organizatori i transportimit të emigrantëve të jashtëligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian përmes Shqipërisë.

Emigrantët humbën jetën kur vetura me të cilën po udhëtonin doli nga rruga dhe ra në përrua në qytezën jugore Këlcyrë. Ata ishin të moshës mes 28 dhe 32-vjeçare dhe tre prej tyre janë identifikuar, tha Policia.

Nga hetimet për aksidentin është zbuluar edhe grupi i trafikantëve që kishin marrë përsipër transportimin e emigrantëve.

“U identifikuan tre shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Dy prej tyre, 23 dhe 24 vjeç janë ndaluar, ndërsa një 23 vjeçar është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtarie kriminale”, thuhet në njoftim.

Të tre personat që dyshohet se janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal janë nga Shkodra. Nga ky qytet ishte edhe drejtuesi i mjetit, 24-vjeçari i cili vdiq në aksident gjithashtu.

Pika kufitare e “Tre Urave” në Përmet është një prej pikave kryesore që përdoret për kontrabandimin e emigrantëve të huajt të paligjshëm.

Ata hyjnë zakonisht përmes Greqisë në Shqipëri, ku trafikantët marrin përsipër transportimin e tyre drejt pikave kufitare me Kosovën ose Malin e Zi.

Mësohet se gjatë tre muajve të parë të këtij viti në territorin e Shqipërisë janë ndaluar 165 emigrantë të paligjshëm.

Vetëm pak ditë më parë, më 17 mars pranë kësaj pike kufitare u ndaluan dy persona të cilët po transportonin katër emigrantë të paligjshëm. Vitet e fundit në Shqipëri janë ndaluar mijëra emigrantë nga Siria, Pakistani, Afganistani dhe vende të tjera.

Në tetor të vitit të kaluar, Policia i arrestoi nëntë persona në qarkun e Durrësit, të cilët po trafikonin emigrantë përmes itinerarit Turqi-Greqi- Shqipëri drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Për pagesa në vlerë prej rreth 3.500 deri në 5.000 euro, ata transportonin emigrantë nga Nepali, Afganistani, Bangladeshi dhe India.

Më 24 maj të vitit 2023, gjashtë shtetas sirianë dhe algjerianë u arrestuan në kufirin Shqipëri-Kosovë, pasi qëlluan me armë në drejtim të zyrtarëve policorë.

Sipas Policisë, ky grup i armatosur organizonte dhe drejtonte veprimtarinë kriminale të kalimit të paligjshëm të emigrantëve nga vendet e treta, përmes kufijve të gjelbër, mes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë.

Sipas të dhënave nga Agjencia Evropiane për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex, numri i kalimeve të parregullta në kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian në vitin 2023 arriti në rreth 380.000, i nxitur nga një rritja e mbërritjeve përmes rajonit të Mesdheut.

Po sipas këtyre të dhënave. gjatë vitit të kaluar rreth nëntë mijë emigrantë të huaj të parregullt u evidentuan në brendësi të territorit shqiptar.

Frontex nisi operacionin e përbashkët në Shqipëri në maj 2019. Janë 162 oficerë evropianë të rojeve kufitare që punojnë së bashku me Policinë kufitare shqiptare.

Go to TOP