Kosova

Elezi i KQZ’së: Askush nuk do të mbetet pa votuar, në listat votuese janë edhe atë që jetojnë jashtë vendit

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka dhënë detaje rreth zhvillimit të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen nesër.

Sipas tij vendimi i KQZ’së për të shtypur më pak fletëvotime sesa që ka votues të regjistruar është një veprim i mirë menduar i KQZ’së.

Elezi theksoi se askush nuk do të mbetet pa votuar teksa konfirmoi se ka edhe fletëvotime të tjera rezervë në dispozicion.

“KQZ’ja duke u mbështetur edhe në praktikat e kaluara dhe në proceset e kaluara zgjedhore ka shtypur më pak fletëvotime sesa qytetarë të regjistruar për të votuar Ky është vendim i menduar mirë nga KQZ’ja. Kështu kemi vepruar edhe gjatë viteve të kaluara dhe nuk kemi pasur mungesë të fletëvotimeve. Nuk ka asgjë për tu shqetësuar se ka edhe fletëvotime rezervë dhe askush nuk do të mbetet pa votuar.  Të drejtë vote kanë të gjithë ata qytetarë që janë prezent në listat votuese. Ato përmbajnë jo vetëm banorët rezident të Kosovës por edhe ata që jetojnë jashtë vendit”, ka thënë ai.

Ndërsa sipas KQZ’së lista përfundimtare e votuesve brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do të mbahen më 14 shkurt, përmban: 1 milion e 794 mijë e 862 emra të votuesve.

Në këto zgjedhje janë 143 mijë e 6 votues më pak se në Zgjedhjet për Kuvend të 6 tetorit 2019, pasi nga kjo listë janë larguar 122 mijë e 421 votues të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u, si dhe për shkak të largimit të 11 mijë e 86 të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes.

 Sipas KQZ’së janë aprovuar edhe 102 mijë e 100 aplikacione nga votues jashtë vendit./Gazeta Express