SPORT

“El Clasico” e pazakontë

Barcelona dhe Real Madridi janë gati për “El Clasicon” numër 245 në sfidat kompetitive, në një duel tepër të veçantë, që këtë herë do të mbahet në “tempullin” e futbollit katalanas pa praninë e spektatorëve, pra në ‘Camp Nou’.

Takimi i ditës së shtunë është i 181-ti në historinë e ligës spanjolle dhe Barça do të bëj çmos për të përfituar nga momenti jo i mirë që po kalojnë kampionët në fuqi, për të barazuar bilancin e përgjithshëm të fitoreve, në 73-73 në ndeshjet ndërmjet tyre në Primera Division (La Liga).

Është klasikja e parë për këtë sezon në kampionatin spanjoll, megjithatë të dy ekipet do të paraqiten pas humbjeve respektive që pësuan me Getafen dhe Cadizin javën e kaluar. Për herë të fundit këto dy skuadra u paraqitën në klasiken e futbollit spanjoll me humbje në prillin e vitit 2003. Asokohe Reali u mund 4-2 në “San Sebastian” nga Sociedadi, ndërsa Barça u mposht me po të njëjtat shifra nga Deportivo La Coruna, brenda në “Camp Nou”, sidoqoftë dueli ndërmjet tyre më pas në “Santiago Bernabeu” përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1.

Të dy ekipet kanë ndryshuar dhe kanë humbur ndjeshëm atë madhështinë e pak kohëve më parë, madje edhe në aspektin e lojës në këtë fillim sezoni në shumë ndeshje të Primera Division është vërtet e vështirë për të gjetur diferenca të mëdha me skuadrat kundërshtare. Mbi të gjitha si Reali ashtu edhe Barça u mundën në të njëjtën ditë pa shënuar as gol dhe më përpara një gjë e tillë ishte regjistruar vetëm në mbrëmjen e 6 majit të vitit 2000, pra thjesht një herë të vetme në 30 vitet e fundit.

Andaj, meqë s’do të ketë tifozë në ‘Camp Nou’, kjo sfidë është edhe më shumë e paparashikueshme.

Barcelona do t’i ketë të gjithë, më të mirët që i ka në skuadër – në anën tjetër Real Madridi luan pa Eden Hazardin dhe Dani Carvajalin.