Kombëtare

Ekzekutivi i Lipjanit akuzohet për diskriminim të disa lokaliteteve

Banorët e disa lokaliteteve të Lipjanit janë ankuar se prej disa vjetësh po diskriminohen nga pushteti komunal gjatë përcaktimit të projekteve kapitale. Ata dyshojnë se drejtuesit e Lipjanit po u hakmerren për shkak të bindjeve të tyre partiake.

Agim Buja, banor i fshatit Bujan, ka thënë se prej marrjes së qeverisjes lokale nga LDK-ja, banorët nuk e kanë përfituar asnjë projekt kapital. Ai tregon se në këtë lokalitet mbështetjen më të madhe e ka PDK-ja.

“Kemi shumë shqetësime, pasi që rrugët i kemi të paasfaltuara, ujësjellës nuk kemi fare, pastaj këtu mungon edhe ndriçimi publik dhe shumë projekte të tjera. Ka shumë kohë që nuk është bërë ndonjë investim nga Komuna, pra prej që e ka marrë qeverisjen LDK-ja ky fshat është lënë pas dore. Po ashtu, kemi dëgjuar se edhe sipas Kornizës afatmesme për vitin 2021, Komuna nuk ka planifikuar ndonjë projekt kapital për zhvillimin e fshatit, andaj ne jemi të diskriminuar”, ka thënë Buja. Sipas tij, banorët janë taksapagues të rregullt të tatimit në pronë dhe të tatimeve të tjera publike, andaj ato para duhet t’iu rikthehen banorëve përmes projekteve kapitale.

Edhe një mijë banorët e vendbanimit “Jeta e Re” prej kohësh kërkojnë asfaltimin e rrugicave, rregullimin e kanalizimit, ujësjellësit, ndriçim publik, riparimin e objektit të shkollës etj.

“Jemi një lokalitet i urbanizuar, mirëpo, siç shihet, terreni nuk përshtatet me sistemin e urbanizmit pasi që gjendja e rrugëve është e mjerueshme. Gjatë viteve të fundit nuk është paraparë ndonjë plan apo ndonjë investim për këtë lokalitet dhe kemi mbetur kështu. Ndërkohë, 90 për qind e investimeve si kanalizim e ujësjellës, rrjeti elektrik, një pjesë të rrugëve i kemi realizuar me para vetjake të banorëve. Mirëpo po presim edhe nga Komuna që të bëjë ndonjë investim, pasi që jemi mbi një mijë banorë”, ka thënë Ali Stublla, banor i këtij lokaliteti. Sipas tij, banorët dhe nxënësit kanë nevojë të riparohet objekti i shkollës dhe të asfaltohet rruga e saj, pasi që gjatë sezonit të dimrit ajo shpeshherë bëhet e pakalueshme.

Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së, Dega në Lipjan, ka thënë se është shqetësuese se si ekzekutivi i Komunës ka dështuar gjatë vitit të kaluar t’i shpenzojë një milion euro për projekte kapitele, derisa banorët po përballen me mungesë të infrastrukturës.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.