Bota

Ekspertja e OKB-së bën thirrje t’i jepet fund dhunës ndaj gazetareve

Gazetaret përballen me rreziqe të veçanta derisa ushtrojnë profesionin e tyre dhe qeveritë duhet të bëjnë më shumë për t’i mbrojtur ato nga dhuna me bazë gjinore, tha Dubravka Shimonoviq, Raportuese e Posaçme për dhunën ndaj grave, në një raport të paraqitur para Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.

“Që nga viti 1992, 96 gazetare janë vrarë derisa kryenin punët e tyre. Megjithëse më shumë burra vdesin çdo vit, gratë përballen me sulme seksuale, përdhunime, dhe veçanërisht kërcënime për përdhunim, që përdoret si një mjet për të minuar besueshmërinë e tyre dhe i dekurajojnë ato të punojnë në media”, tha Shimonoviq.

Ajo u bëri thirrje qeverive të bëjnë të mundur që gratë të punojnë në mënyrë të sigurt në profesionin e gazetarisë, duke zbatuar plotësisht aktet e të drejtave të njeriut, të cilat posaçërisht kanë për qëllim eliminimin e diskriminimit ndaj grave dhe dhunën me bazë gjinore.

“Platformat digjitale dhe në përgjithësi interneti janë një “shpatë me dy tehe” për gratë. Hapësirat e reja digjitale sociale po transformojnë dhe riformatojnë shoqërinë, por gjithashtu mundësojnë forma të reja të dhunës në internet ndaj grave”, thuhet në raport.

Aty theksohet se gazetaret përballen me nivele edhe më të larta të diskriminimit nëse i përkasin ndonjë pakice, siç janë lezbiket, biseksualet, transgjinoret ose interseksualet.

“Gratë kanë të drejtë të jenë të sigurta në shtëpitë e tyre. Çdo masë për të luftuar pandeminë duhet të respektojë të drejtat e njeriut dhe të marrë parasysh nevojat e grave”, tha Shimanoviq.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483