Kombëtare

Eksperti i njohur rekomandon zgjidhje të përbashkët me Kosovën për Hidrocentralin e Skavicës

Eksperti i njohur ligjor për çështjet e energjisë në Shqipëri, Lorenc Gordani, ka rekomanduar që Hidrocentrali i Skavicës të ketë një zgjidhje të përbashkët me Kosovën, ndërkohë që në sondazhin e një televizioni në Shqipëri, 65 për qind e votuesve e kanë përkrahur ndërtimin e një hidrocentrali për Kosovën.

Në fillim të qershorit në Tiranë janë çelur zyrtarisht procedurat për HEC-in e Skavicës mbi lumin Drini i Zi, në juglindje të Kukesit, që do të financohet 100 për qind nga buxheti i shtetit shqiptar.

Hidrocentrali i Skavicës kompleton kaskadën e lumit Drin, krijon mundësinë e ruajtjes së rezervës ujore, duke iu dhënë përfundimisht fund humbjeve të energjisë dhe përmbytjeve kronike në pjesën e poshtme të kaskadës në zonën e nën Shkodrës.

Zbatimi i këtij i projektit do të kontribuojë gjithashtu në rritjen e sigurisë së veprave hidrike ekzistuese në kaskadë (HEC Vau i Dejës, HEC Fierza dhe HEC Koman).

Zhvillimi i këtij projekti do të rrisë pavarësinë në Shqipëri nga përdorimi i karburanteve fosile për prodhimin e energjisë elektrike, përshtatje më të madhe të sistemit elektroenergjetik në Shqipëri ndaj ndryshimeve klimaterike dhe zvogëlimin e varësisë së Shqipërisë nga importi i energjisë elektrike.

Nga 2 variantet e propozuar nga konsulenti i kontraktuar për të hartuar studimin e fizibilitetit, në rastin më të mirë fuqia e instaluar e HEC-it të Skavicës parashikohet të jetë 210 MË.

Ndërkohë, Banka Botërore me një financim prej prej 1.4 milionë dollarësh po punon në këtë drejtim për të dalë në fund me një rekomandim se çfarë dhe si duhet bërë me Hidrocentralin e Skavicës.

Për ekspertin e njohur ligjor për për çështjet e energjisë në Shqipëri, dr. Lorenc Gordani, HEC-i i Skavicës është një objekt strategjik i domosdoshëm, i vështirë por edhe i komplikuar, ndaj ai mendon të ketë një zgjidhje të përbashkët me Kosovën.

“Për HEC-in e Skavicës në të vërtetë po punohet prej kohësh dhe tashmë jemi në fazë të avancuar, të përgatitjeve praktike të projektit. Në fakt në këtë drejtim jemi shumë të vonuar: dihet që Skavica është një element i munguar i projektit origjinal të kaskadës së Drinit. Projektimi dhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës ka qenë një objektiv historik i të gjitha qeverive shqiptare dhe të atyre të para viteve ’90. Është një objekt strategjik i domosdoshëm, i vështirë por edhe i komplikuar. Të shpresojmë që kësaj radhe do të mundemi që këtë ëndërr ta bëjmë realitet, sepse më shume se për prodhimin direkt është i rëndësishëm për optimizimin e gjithë kaskadës së Drinit. Për këtë unë mendoj se do të nevojiten zgjidhje të përbashkëta me Kosovën, për ta bërë këtë investim të sigurt”, ka thënë ai.

Për kryeministrin e Kosovës, Abdullah Hoti, një ndër tre projektet madhore që për Kosoven janë strategjike, është edhe ndërtimi i një hidrocentrali në territorin e Shqipërisë.

“Sigurisht ne kemi sisteme komplementare energjitike, por duhet të kujdesemi që në aspektin afatgjatë të zgjidhim këtë problem, duke konsideruar dhe ndërtimin e një hidrocentrali në territorin e Shqipërisë për të furnizuar me energji elektrike Kosovën”, ka deklaruar Hoti gjatë vizitës së tij në Tiranë, me 3 korrik.

Ideja për ndërtimin e një hidrocentrali të përbashkët Shqipëri-Kosovë ishte hedhur para dy vitesh në Tiranë.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483