Kombëtare

Ekskluzive: Në Viti vazhdojnë të funksionojnë ilegalisht lojërat e fatit

Dikush në Viti ka vendosur ta sfidojë shtetin duke ushtruar veprimtari të paligjshme me lojëra ta fatit. Kanë hapur biznese të tilla ilegale nëpër bordrume.

Shfuqizimi i Ligjit për veprimtarinë e lojërave të fatit, nuk u ka bërë shumë përshtypje pronarëve të disa bizneseve ilegale në Viti. Madje duket se asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim përveç reklamimit të kësaj veprimtarie e cila më parë ishte e lejuar me ligj.

Vërehet se mbyllja e 445 njësive të lojërave të fatit nuk pengon aspak disa qytetarë që në qytetin e Vitisë ta gjejnë veten duke testuar fatin e tyre me qëllim të përfitimit material.

Aktiviteti ilegal i lojërave të fatit është prezent në disa lokale dhe bodrume të Qytetit të Vitisë. Në videot që ka siguruar Gazeta Express nga një lexues, shihet se lokalet në të cilat po zhvillohet kjo veprimtari ilegale janë të kamuflluara si “Internet Coffe”.

Gjithçka ksihte filluar kur me datën 17 mars të këtij viti ndodhi vrasja e një të riu në komunën e Suharekës në një nga lokalet e lojërave e fatit. 32 vjeçari me inicialet A.J u qëllua me armë zjarri nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Qëllimet e vrasjes dyshohet se kishin të bëjnë për përfitime materiale. Pak ditë më vonë ndodhi një vrasje tjetër në Lipjan, pikërisht në një nga lokalet e lojrave të fatit. I riu F.A nga Rezallë e Skënderajt u vra në vendin e tij të punës. I dyshuari i mori jetën punëtorit të kazinos sepse ishin në pyetje 2700 euro.

Menjëherë pas vrasjes, Komuna e Suharekës mori iniciativën për të organizuar një peticion për të shfuqizuar lojrat e fatit dhe me këtë lokalet që ofrojnë këtë veprimtari të mbyllen.

I pari i Komunës Bali Muaherrmaj, kishte thënë se lokalet e lojërave të fatit janë bërë burim përleshjesh e vrasjesh. Së bashku me Asamblenë Komunale dhe 10 mijë nënshkrime që u mblodhën shumë shpejt, ky peticion u dorëzua në Kuvendin e Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës, LDK’ja kishte kërkuar seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit për lojrat e fatit që lejon veprimtarinë e lojrave të fatit në Kosovë. Kërkesa gjeti mbështetje edhe tek partitë e tjera. Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi, tha se edhe partia e tijë e mbështet një Rezolutë e cila kërkon nga Qeveria pezullimin e aktiviteteve të kazinove. E me këtë iniciativë u pajtua gjithashtu edhe Lëvizja VETËVENDOSJE!

Projektligji u votua dhe kaloj, e me këtë u shfuqizua ligji për lejueshmërinë e lojrave të fatit. Në fillimin e muajit maj, përmes këtij ligji janë mbyllur: 23 baste me gjithsej 306 njësi, 17 veprimtari për Automate me 133 njësi si dhe 6 veprimtari Bingo me 6 njësi.