Kosova

Ekipi kosovar i xhudos në Tokio i tronditur nga vdekja tragjike e 10 kosovarëve në Kroaci

Trajneri i ekipi të xhudos së Kosovës, Driton Kuka, ka thënë se ai dhe e gjitha skuadra e tij kanë mbetur të tronditur nga tragjedia që e goditi vendin të dielën, pasi 10 mërgimtarë kosovarë vdiqën në një aksident me autobus në Kroaci.

Dhjetë persona humbën jetën dhe 44 të tjerë u lënduan kur autobusi me të cilin po udhëtonin ata doli nga rruga në qytetin lindor kroat, Slavonski Brod dhe u rrokullis të dielën paradite. Ata po ktheheshin nga Gjermania drejt Kosovës ku do t’i kalonin pushimet verore.

Në nderim të viktimave, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e shpalli të hënën ditë zie në vend.

Kjo tragjedi e goditi Kosovën vetëm një ditë pasi i gjithë vendi iu gëzua fitimit të medaljes së artë olimpike nga Distria Krasniqi në Tokio të shtunën.

Në një reagim në llogarinë e vet personale në Facebook, Kuka tha se ka mbetur i tronditur nga vdekja e bashkatdhetarëve rrugës për atdhe.

“Jemi tromdit thellë të gjithë ne në Japoninë e largët me ngjarjen e ndodhur në Kroaci me bashkëatdhetarët tanë që ishin nisur drejt atdheut! Jemi me shpirt e zemër afër familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre!” shkroi Kuka.

Kosova e fitoi dje medaljen e dytë olimpike në historinë e vet, të dytën të artë dhe të dytën në sportin e xhudos, pas një pune të palodhshme dhe frymëzuese të Kukës.

Krasniqi – numri një i botës në kategorinë deri në 48 kilogramë – e mundi të shtunën japonezen Funa Tonaki në tokën e saj për ta fituar medaljen e artë olimpike dhe të parën në karrierë në Lojëra Olimpike, duke e konfirmuar mbizotërimin e saj në këtë kategori.

Fitimi i medaljes së artë nga Krasniqi nënkupton që Kosova tani i ka dy medalje të arta olimpike në historinë e vet olimpike nga dy Olimpiadat e fundit, që të dyja në xhudo, pas Majlinda Kelmendi e kishte fituar të artën në Lojërat Olimpike në Rio 2016.

Por Kelmendi, e goditur nga lëndime te vazhdueshme dhe mungesa në gara viteve të fundit si pasojë, dështoi ta përsërisë suksesin e para pesë vjetëve, pasi u mposht qysh në luftën e parë në kategorinë deri në 52 kilogramë në Tokio.

Kosova, megjithatë, ende mban shpresa për medalje të tjera olimpike, pasi Akil Gjakova dhe Nora Gjakova do të garojnë të hënën në mëngjes, ndërsa Loriana Kuka të enjten më 29 korrik. Të tre në xhudo, po ashtu.