Kosova

Ehat Miftaraj: Veçanarisht partitë politike dhe institucionet janë të obliguara të dëshmojnë lojalitet ndaj vendimeve të Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese të enjten mbrëma i ka dhënë të drejtë presidentit Thaçi për dekretimin e mandatarit të Qeverisë së re, Avdullah Hoti, me të cilin vendim nuk po pajtohet Lëvizja Vetëvendosje, duke e quajtuar skandaloz dhe të padrejtë.

Por, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen në përpikëri.

Miftaraj, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se partitë politike dhe institucionet janë të obliguara të dëshmojnë lojalitet ndaj vendimeve të Gjykatës dhe të mos i komentojnë dhe sulmojnë qoftë gjykatën si institucion apo vet  gjykatësit e kësaj gjykate.

“Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Kosovë në interpretimin e Kushtetutës. Edhe përkundër faktit se publiku kanë dyshime lidhur me integritetin, kredibilitetin e kësaj gjykatë dhe vënë në dyshim pavarësinë dhe paanshmërinë e saj,  vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen në përpikëri.  Veçanarisht partitë politike dhe institucionet janë të obliguara të dëshmojnë lojalitet ndaj vendimeve të Gjykatës dhe të njëjtat në publik të mos i komentojnë dhe sulmojnë qoftë gjykatën si institucion apo vet  gjykatësit e kësaj gjykate.  Çdo sulm ndaj gjykatës dhe gjykatësve nga politika hyn në kuadër të ushtrimit të presionit dhe cënimit të mëtejshëm të pavarësisë dhe autoritetit të këtij institucioni”, ka thënë Miftaraj.

Miftaraj theksoi se afati i shkurtër kohor për formimin e Qeverisë nga Gjykata Kushtetuese, është dhënë më shumë që të legjitimojë veprimet e Presidentit të vendit, sesa të rregullojë këtë fushë.

Sipas tij, një afat kohor për formimin e Qeverisë, në frymën kushtetuese, do të ishte prej 30 deri në 60 ditë.

“Përderisa vendimi i Gjykatës ka etabluar edhe më tej autoritetin dhe kompetencat e Kuvendit të Kosovës si institucion suprem që përfaqëson popullin dhe institucion që qëndron mbi Qeverinë dhe Presidentin. Përderisa, si precedent që mund të ndikojë dhe pengoj në të ardhmen lidhur me formimin e institucioneve, ky prej 10 dhe 15 ditëve paraqet afat të shkurtër kohor. Një afat sipas mendimit tim ka pasur për qëllim më shumë të legjitimon veprimet e Presidentit se sa të rregulloj këtë fushë.  Një afat i tillë do ishte në frymën e Kushtetutës sikur të mos kufizohej në afate aq të shkurtra por të caktohej një afat i arsyeshëm kohor që mund të ishte prej 30 deri në 60 ditë. Afati kaq is shkurtë i caktuar nga gjykata mund të jetë ndikuar edhe nga fakti që të legjitimon dekretin e Presidentit dhe të njëjtin mos ta shpall kundër Kushtetues”, tha ndër të tjera Miftaraj nga IKD.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese, të enjten ka marrë vendim lidhur me çështjen e mandatarit Hoti, në të cilën ka konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Partia Demokratike e Kosovës e kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejtë Thaçit për mandatarin Avdullah Hoti. /Telegrafi/