SHËNDETËSIA

Cilat komplikime janë të zakonshme në shtatzënitë me binjakë

Komplikimet janë më të shpeshta në shtatzënitë e shumëfishta sesa në shtatzënitë me një fetus

Gjithashtu, shanset për lindje të parakohshme janë më të mëdha, prandaj, kjo shtatzëni trajtohet si një shtatzëni me rrezik të lartë, transmeton Telegrafi.

Preeklampsia

Shtatzënitë e shumëfishta mbartin rrezikun e preeklampsisë. Për shkak të rritjes së peshës trupore; ngarkesës shtesë të trupit me dy ose më shumë fetuse, rreziku i presionit të lartë të gjakut dhe ënjtjes është i lartë.

Nëse ndodh që të filloni të ënjteni, mjekët do t’ju këshillojnë të bëni pushim shtesë, si dhe analiza shtesë të urinës, të gjakut dhe matje të shpeshta të presionit të gjakut për të shmangur komplikimet e mëtejshme.

Lindja e parakohshme

Meqenëse kryeni ekzaminime shpesh gjatë shtatzënësisë së shumëfishtë, mjekët do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë shfaqjes së mundshme të kontraksioneve dhe gjatësisë së qafës së mitrës. Ai do t’ju rekomandojë që të pushoni sa më shumë që të jetë e mundur, nëse shfaqet ndonjë nga problemet e sipërpërmendura.

Nëse jeni duke pritur dy ose më shumë foshnje, rreziku i lindjes së parakohshme është më i lartë. Sidoqoftë, edhe nëse lindni më herët, mos u shqetësoni, foshnjat do të jenë në inkubator derisa të forcohen me kujdesin e duhur.

Pushimi luan një rol shumë të rëndësishëm në shtatzënitë e shumëfishta. Sa më shumë të pushoni, aq më shumë do ta ruani qafën e mitrës, do të zvogëloni presionin në shpinë e këmbë dhe kështu do të parandaloni shfaqjen e venave varikoze.

Pranimi në spital

Gratë shtatzëna zakonisht pranohen në spital disa ditë para afatit në mënyrë që të zgjasin sa më shumë shtatzëninë dhe t’u mundësojnë foshnjave që të forcohen në bark. Sidoqoftë, edhe pushimi i vazhdueshëm ndonjëherë nuk mund të parandalojë lindjen e parakohshme.

Shtatzënitë binjake dhe të shumëfishta mbartin rreziqe të caktuara për nënën dhe foshnjën. Këto foshnje shpesh lindin para kohe me patologji, sikurse janë problemet e shpeshta me frymëmarrje.