OPINION

Edmond Tupja: Nën hijen e kërcënimit

Dikur, shteti i diktaturës hoxhiste nuk të kërcënonte nën mbulesën e anonimatit, ai të hidhte prangat ende pa zbardhur dita duke përdorur formulën e kobshme “Në emër të popullit, je i arrestuar!”.

Çdokush mund të arrestohej, por intektualët në veçanti. Unë nuk e di se ç’metamorfozë ka pësuar sot kjo formulë, ndoshta fjala “popull” është zëvendësuar me fjalën “ligj”, por një gjë e di fort mirë: Intelektuali Edmond Budina, artist –regjisor e aktor – dhe aktivist i vendosur për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, u kërcënua para disa ditësh në emër të shtetit nga një gjallesë anonime,e cila, në një gjuhë tejet vulgare, përdori pikërisht fjalën “shtet”.

Pavarësisht identitetit të kërcënuesit, diçka më thotëqënuk gaboj po të pohoj se formula e lartpërmendur mund të shqiptohej kështu, pak a shumë si në rastin e Edmond Budinës, edhe për të gjithë të kërcënuarit e ardhshëm, përfshirë ndoshta edhe autorin e këtyre radhëve: “Në emër të shtetit, je i kërcënuar!”. Sigurisht, që nga koha e diktaturës hoxhiste deri në këtë kohë të demokraturës ramiste, kemi një ndryshim cilësor: Nga arroganca e kuçedrës me nëntë koka tek paburrëria e gjarprit me nëntë bishta ku fsheh helmin, por që nuk di t’i fshehë këmbët!

Sidoqoftë, le të më lejojnë lexueset e lexuesit e sotëm t’i referohem Historisë: Mbi gjysmë shekulli më parë, në Francë, gjatë protestave studentore të muajit maj 1968, ministria e brendshme shpalli të jashtëligjshme një parti të vogël majtiste me prirje të theksuara maoiste, të quajtur “La gauche prolétarienne” (E majta proletare), që ishte për marrjen e pushtetit me dhunë nga klasa punëtore në vendet kapitaliste; rrjedhimisht, ajo ndaloi edhe shitjen e gazetës së asaj partie me titull “La cause du peuple” (Kauza e popullit).

Në këto kushte, filozofi i njohur Jean-Paul Sartre doli në rrugë dhe, pa ia bërë syri tërr, nisi të shpërndante pikërisht këtë gazetë për të mbrojtur kështu lirinë e shtypit dhe të mendimit. Personaliteti dhe fama e këtij filozofi, i cili në vitin 1964kishte refuzuar edhe çmimin Nobel, ishintë tillë, saqë ministri i brendshëm apo prefekti i Parisit dha urdhër që forcat e rendit jo vetëm të mos e arrestonin atë, por ta mbronin nga çdo e papritur në dëm të tij.

Unë do të isha shumë kureshtar tëdija nëse ministrittë brendshëm Lleshaj i ka shkuar sadopak mendja për t’u dhënë,qoftë sa për sy e faqe, ndonjë urdhër forcave të rendit që ta mbrojnë Edmond Budinën ngandonjë e papritur dramatike në vazhdën e kërcënimitnëfjalë,autori i të cilit e ka “zbukuruar” madje “mesazhin” e tij me fotografinë e mafiozit Al Capone, duke çuar kështu pa dashje ujë në mullirin e atyre që regjimin e Edi Ramës e kanë cilësuar pikërisht e me të drejtë si mafioz.

Nga ana tjetër, do të isha shumë kureshtar të mësoja si e kanë përjetuar këtë kërcënim Edi Rama dhe Erion Veliaj: Kanë vrenjtur vetullat apo kanë fërkuar barkun, në mos të kundërtën, pra kanë fërkuar vetullat apo kanë vrenjtur barkun?Sepse, gjithsesi, nuk ma ha mendja që ta ngrenë hipokrizinë e tyre deri në atë pikë sa ta dënojnë publikisht kërcënimin në fjalë.

Së fundi,do të isha shumë kureshtar të merrja vesh si kanë reaguar ndaj këtij incidenti të turpshëm ata ish-kolegë të Edmond Budinës që kanë nënshkruar peticionin drejtuar presidentit të Republikës në mënyrë që ky të mos i nxjerrë pengesa shkatërrimit të Teatrit Kombëtar, madje ta përshpejtojë këtë akt të pashembullt vandalizmi modern kundër kujtesës jo vetëm kulturore, por edhe historike të kryeqytetit shqiptar!

Mirëpo jaqë hija e kërcënimit shtetëror po shtrihet nga Edmond Budina si njëri prejzëdhënësve dhe aktivistëve më vigjilentëtë Aleancës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, deri tek ato medie të pavarura që synojnë e përpiqen të pasqyrojnë me objektivitet, pra, pa njëanshmëri,realitetin shqiptar ku demokracia e brishtë po gulçon, po lëngon, po mbytet nën goditjet e regjimit ramist.

Kështu, pardje në mbrëmje, lajmi tronditësmoridhenë, madje edhe detet e qiellin: Televizioni “Ora”, aq i ndjekur dhe i vlerësuar nga opinioni ynë publik, u bë objekt gjobash dhe, madje, rrezikon të mbyllet! E PA-BE-SUE-SHME! Ky vendim zyrtar më duket absurd, tejet absurd: Ky kanal televiziv na qenka fajtor, sepse nuk na paska respektuar rregullat e vendosura nga qeveria për të luftuar pandeminë e koronavirusit, ndërkohë që vetë Edi Rama është shfaqur në ekranet e të gjitha kanaleve televizive shqiptare pa maskë, pa doreza, pa distancim social si në rrugë ashtu edhe në Kuvend! Atëherë, lind pyetja: Po Edi Ramën a e ka kërcënuar njeri për këtë arsye? A e kadenoncuar njeri përkëtë arsye? A e ka gjobitur njeri për këtë arsye? A ia ka mbyllur njeri kryeministrinë për këtë arsye?

Lexuese dhe lexuestë nderuar të kësaj rubrike, siç po shkojnë punët në Shqipërinë tonë të nëpërkëmbur, të shkalafitur e të shkarravitur, të gjithë ne, e kam fjalën për shqiptaret e shqiptarët e ndershëm e punëtorë, jemi viktima të ardhshme të kërcënimeve, të gjobitjeve, të pushimeve nga puna për arsyet nga më absurdet, ne jemi, pra, krejt të pambrojtur, veçse jo në dorë të fatit, por në kthetrat e pamëshirshme të regjimit ramistdhe kryesisht, veçanërisht dhe ekskluzivisht të kreut të tij të pagabueshëm, të lavdishëm e të pavdekshëm Edi Rama!

Leave a Reply

Your email address will not be published.