OPINION

Edmond Tupja: Broçkulla

Po, fjala që kam zgjedhur sot për titull të kësaj rubrike të përjavshme, u shqiptua me shumë gjasë (siç e dëshmon “YouTube”-i) para disa ditësh në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Mjekësisë, gjatë incidentit që përplasi kryeministrin Rama me një student nga salla, i cili, pasi lëshoi fjalën e sapopërmendur, shtoi se ishte gati të priste biletë për t’u larguar duke lënë të nënkuptohej se kushtet dhe vëmendja ndaj mjekëve shqiptarë nuk janë ashtu siç pretendon Kryeministri i vendit.

Gjithsesi, fjala “broçkulla”, e cila sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) nuk ka asnjë ngjyrim përbuzës, përçmues, mospërfillës, sharës, madje as të ligjërimit bisedor e as të atij të thjeshtë, i përket një vargu sinonimesh, i cili, sipas “Fjalorit sinonimik të gjuhës shqipe” (Botimet EDFA, Tiranë, 2007) përmbledh edhe fjalët “dokrra, pallavra, trillime, gëzhdalla, profka, gënjeshtra, çakla, dërdëllitje, llomotitje, përrallisje, kaçkaritje, përralla (me mbret), xexerica, gorrica (pikla, fice), kopalla, makllada, dëngla, pordhë, gërbula, bërdokulla, gëzhdalla e beshte”.

Sa për dijeni, ndonëse e ndërpreu Kryeministrin pa marrë leje (por a do t’ia kishin dhënë vallë?), studenti në fjalë u tregua të paktën me edukatë kur zgjodhi e përdori fjalën “broçkulla”, sepse, për shembull, mund të kishte thënë “pallavra” apo “kopalla” (që të kujtojnë fjalën “pallë”) ose “kaçkaritje” (që përmban tri germa rresht me ngjyrim të theksuar vulgar), ose edhe fjalët “xexerica” apo “gorrica” (me mbaresën erotike -ica), pra duke shmangur edhe përdorimin e fjalës tejet vulgare “pordhë”.

Megjithatë, ndërhyrja e tij ishte emocionale, sepse, siç thuhet proverbialisht, “i riu si veriu”, d.m.th. impulsiv, që e hedh hapin më të madh sesa duhet. Mirëpo, nga ana e tij, Kryeministri, duke injoruar proverbin “i vjetri si ketri”, d.m.th. “i duruar, që hedh hapa të matur”, u tregua si shpeshherë ironik, madje edhe cinik, kur u tha pjesëmarrësve në adresë të studentit kundërshtues: “…Është një individ në shërbimin tuaj që të filloni ushtrimin e profesionit sapo të hidhni kapelën. Merreni dhe jepini recetën e duhur se në kohën e barnave të rimbursueshme i merr falas” (cituar sipas “Euronews”-it). Le të qëndrojmë sadopak te këto dy fjali të Kryeministrit.

Përveç faktit që të shprehesh ironikisht nuk është mënyrë të arsyetuari, Kryeministri Rama hedh idenë, sipas mendimit tonë modest, se studenti në fjalë nuk është në rregull nga trutë, e thënë ndryshe, ka nevojë për qetësues. Kjo të kujton atë reagimin e tij kur para një viti e ca, studentët shqiptarë u hodhën në protestë për të drejtat e tyre të ligjshme. Ditën e parë apo të dytë të protestës së tyre masive, Kryeministri Rama e cilësoi këtë protestë si vepër të “disa ngelësve” para se të ndërronte mendim e t’i ftonte ata për dialog.

Për analogji, do të kishte qenë më e denjë për figurën e tij kryeministrore – sidomos tashmë që ai “kryeson” lavdiplotë edhe OSBE-në – në qoftë se do ta thërriste studentin atje në foltore dhe nisur nga pedagogjia e komunikimit, të debatonte me atë brenda kuadrit të një argumentimi racional, pavarësisht mënyrës rinore, pra impulsive, se si komunikoi studenti kundërshtues; madje, edhe sikur ky i fundit të pranonte të vinte në foltore e gjithsesi të vazhdonte të këmbëngulte në të tijën, Kryeministri Rama do të fitonte deri diku pikë te të pranishmit.

Megjithatë, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se Kryeministri Rama e përmbajti deri diku veten, duke e ndrydhur disi agresivitetin e tij karakterial, ndryshe nga mënyra si është sjellë në disa raste kur është përballur me njerëz, të cilët i janë kundërvënë gojarisht: E kam fjalën, ndër të tjera, edhe për atë buzëmbrëmje funddhjetori të vitit të kaluar, kur në momentin që ai po gatitej të ndizte dritat e bredhit të Vitit të Ri në sheshgungën “Skënderbe” të kryeqytetit tonë të pikëlluar, nga grumbulli i njerëzve u dëgjuan disa thirrje “Rama ik!”.

A ju kujtohet, të nderuara lexuese dhe lexues të nderuar të kësaj rubrike, si reagoi Kryeministri Rama? Jo?… Vërtet jo?… Atëherë, lejomëni t’jua freskoj kujtesën: Ai ngriti dorën dhe zgjati, në drejtim të atyre që kishin lëshuar ato thirrje, zgjati, pra… Ende nuk po ju kujtohet?… Vërtet?… Ai zgjati, pra, duke e tendosur energjikisht,… gishtin e mesit!