Bota

“Edhe të fikt edhe të flliqt”, Gjini shkruan pas shkarkimit të Boltonit

Nënkryetari i AAK’së, Ardian Gjini, e ka shpërndarë shkrimin e presidentit amerikan, Donald Trump, ku ka njoftuar për shkarkimin e këshilltarit të tij për Siguri Kombëtare, John Bolton. 

Gjini shkruan se nëse Kosova do të pranonte ndryshimin e kufijve me Serbinë nuk do të fitonte asgjë dhe për këtë refuzim i jep meritat kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt. 

“Sikur ta kishim pranuar ndryshimin e kufinjve sot do të kishim qenë ‘edhe fikt edhe flliqt’ Aferim Ramush Haradinaj!”, ka shkruar Gjini.

Duket se ai e ka lidhur idenë e ndryshimit të kufijve me ish-këshilltarin e Trumpit, i cili është njohur për afërsinë me Serbinë. 

Madje në vitin 2008, Bolton si ambasador i SHBA’së në Kombet e Bashkuara ishte kundër pavarësimit të Kosovës, e për këtë e kishte shkarkuar ish-presidenti George W. Bush.

Idenë e ndryshimit të kufijve e kanë promovuar zyrtarë të lartë të Serbisë dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Bolton u shkarkua sot nga Presidenti i SHBA’së, Donald Trump, pasi tha se nuk ishin pajtuar për shumë sugjerime që Bolton i kishte dhënë.  /Express/