Kosova

Edhe një vetëvrasje, në burgun e Dubravës, si të parandalohen në

Mbrëmë në ora 22:59h, KMDLNj është informuar se i burgosuri V. H i lindur më 31.08.1991, në Mitrovicë ka bërë vetëvrasje duke e varur veten.

I ndjeri ishte pranuar në Burgun e Dubravës më 23.01.2017. Sipas raporteve mjekësore të Shërbimit Shëndetësor të Burgjeve V. H kishte probleme shëndetësore dhe vazhdimisht është trajtuar, qoftë brenda Burgut të Dubravës ashtu edhe në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.

Në Burgun e Dubravës kishte vizita të rregullta te psikiatri dhe psikologu ndërsa në Institutin e Psikiatrisë Forenzike ka qëndruar gjatë muajit korrik të vitit 2019 ndërsa vizitën e fundit në këtë Institut e kishte më 23.09.2020. Vizitën e fundit te psikiatri i burgut e kishte më 09.09.2020. Në fakt i ndjeri V. H gjatë kontrollit specifikohej që ishte i qetë, nuk ankohej, mohonte se ka për qëllim ta dëmtojë veten dhe ishte rekomanduar ta vazhdojë terapinë e përshkruar nga psikiatri i Burgut.

KMDLNj shpreh shqetësim të thellë për humbjen tragjike të jetës së të burgosuri dhe kërkon hetim për shkaqet që kanë prurë deri te vetëvrasja. E drejta për jetë është e drejtë elementare e njeriut dhe mbi këtë të drejtë realizohen të gjithë të drejtat tjera. Personat e privuar nga liria janë nën përkujdesje dhe mbrojtje të shtetit andaj për KMDLNj-në paraqet shqetësim të madh kjo vetëvrasje sikur edhe vetëvrasjet e mëparshme.

Situata e pandemisë e krijuar nga COVID-19 po ndikon shumë tek të burgosurit , nga trajtimi i tyre, realizimi i të drejtave që i garanton LESP-i e sidomos mbrojtja cilësore shëndetësore. Përkundër angazhimit të Shërbimit Shëndetësor të Burgjeve ky Shërbim nuk ka kapacitete të mjaftueshme profesionale dhe materiale për trajtim të rasteve të rënda sikur ata me diagnozë terciare apo me sëmundje të natyrës mendore sikur që ishte rasti i vetërarit V. H.

Pandemia , përveç se i ka izoluar të burgosurit brenda institucioneve mbajtëse, në anën tjetër e ka vështirësuar dërgimin e tyre në institucionet shëndetësore jashtë burgjeve e në disa raste edhe e ka pamundësuar.

Për këtë arsye KMDLNj shumë herë ak kërkuar që të ndërtohet institucion shëndetësor brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, të angazhohen profesionistë të fushave të nevojshme për trajtim të personave të privuar nga liria në mënyrë që të mos ketë nevojë për dërgim të të burgosurve jashtë burgjeve për trajtim. Qeveria e Kosovës këtë duhet ta trajtojë seriozisht, të ndajë mjete shtesë për këtë çështje. Nëse kjo nuk do të realizohet atëherë , sikur në këtë rast por edhe në rastet tjera do të merremi me reagime në ndërkohë që jeta e personave të privuar nga liria po shndërrohet në shifra apo statistikë. Në mungesë të një strategjie parandaluese kundër vetëvrasjeve në burgjet e Kosovës , kryesisht po merremi me pasojat.

Për KMDLNj-në nuk ka asnjë kuptim dhe asnjë veprim që e arsyeton mbajtjen e të burgosurve me çrregullime të shëndetit mendor në burg në vend se ai të dërgohet në një institucion përkatës shëndetësor. Dhe kjo paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut.