Kombëtare

Edhe një person nga Klina dyshohet se është prekur nga koronavirusi, pret të testohet

Një person nga Klina është përcjellë mbrëmë për në Klinikën Infektive që funksionon në kuadër të QKUK’së, meqenëse dyshohet se është i infektuar me COVID-19. Aktualisht në gjithë vendin janë 88 raste të konfirmuara me koronavirus.

Rastin e ka konfirmuar Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

“Një person mbramë është përcjellë për në Infektivë, meqenëse ka pas simptoma. Personi në fjalë është nga fshati Siqevë. Rezultatet e tij pritet të dalin sot. Të tjera raste nuk kemi. Gjendja në qytet është kryesisht e qetë. Për furnizim me mjete mbrojtëse, jemi duke i shiku mundësitë që me u furnizu me mjete vetanake, pra me buxhetin e komunës”, ka thënë Elezaj.

Aktualisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 33 persona të infektuar me COVID-19. ër gjendjen e tyre ka folur infektologu, Salih Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se shtatë prej të infektuarve janë në gjendje të rëndë, sidomos tre prej tyre.

“Aktualisht në Infektivë janë të shtrirë 33 persona të infektuar. Gjendja e shtatë prej tyre është e rëndë, sidomos tre janë në gjendje shumë të rëndë. Janë duke u trajtu me terapi, tash ta shohim”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe dy raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 88.

Sipas IKSHP’së, një prej rasteve është me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë.

“Sot me 27.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 108 mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, 2 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, një me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë”, thuhet në njoftim./Gazeta Express