Kosova

Edhe Kosovës i ofrohet anëtarësimi në BE, thotë komisioneri për Zgjerim i BE-së

Franca ka mirëpritur ndryshimet e propozuara të Bashkimit Evropian në lidhje me mënyrën e pranimit të vendeve të reja, e cila mund të zbus rrugën drejt anëtarësimit për vendet e Ballkanit pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, bllokoi bisedimet për anëtarësim.

Komisionari i BE-së për zgjerimin, Oliver Varhelyi, e prezantoi metodologjinë e re për pranimin e shteteve të reja të mërkurën. Reformat u ndërmorën pas bllokadës që Macroni ua bëri nisjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë – vendim ky që shefat e BE-së e përshkruan si gabim historik – dhe kërkoi ndryshime në procesin e ashtuquajtur të zgjerimit të bllokut, raporton Reuters.

Varhelyi tha se zgjerimi ishte “gjeo-strategjik”, referencë kjo ndaj pikëpamjes se BE-ja nuk mund të ndalë ndikimin në rënie pa e stabilizuar Ballkanin.

“Vazhdojmë që ta kemi si qëllim zgjerimin e plotë”, tha ai në një konferencë për media pas publikimit të reformave të Komisionit Evropian.

“Anëtarësimi në BE i ofrohet tërë rajonit, përfshirë edhe Kosovën”, tha ai gjatë konferencës për media, transmeton Koha.net.

Propozimet për reforma do t’i japin shteteve anëtare të BE-së më shumë pushtet për të pauzuar apo kthyer mbrapa procesin e pranimit të vendeve të reja, apo edhe t’i detyrojnë vendet t’i rinisin bisedimet në disa fusha.

“Është hap në drejtimin e duhur”, tha një zyrtar francez në Paris. “Është ndryshim i vërtetë i metodologjisë kjo që është propozuar. Është një ndryshim i rëndësishëm dhe pozitiv”.

I pyetur nëse kjo mjafton që Franca të heq dorë nga kundërshtimet, zyrtari tha se Parisi do të konsultohet me vendet tjera të BE-së në pranverë para se të marrë një vendim.

Në Bruksel, Varhelyi theksoi se BE-ja synon t’i pranojë gjashtë vendet e Ballkanit në bllok – Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, sikurse edhe Serbinë, Kosovën, Malin e Zi e Bosnjën.

Komisioni Evropian – organi ekzekutiv i BE-së – duhet ta marrë pajtimin e Francës rreth procesit të pranimit para një samiti në Zagreb me gjashtë shtetet ballkanike në maj.