Rajoni

Edhe dy të vdekur nga koronavirusi në Maqedoni të Veriut

Dy persona kanë ndërruar jetë nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut, duke e çuar në gjashtë numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga COVID-19.

Bëhet fjalë për dy burra të moshës 31 dhe 91 vjeç, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe,

Sipas tij, pacienti më i moshuar ishte shtruar në spital para tetë ditëve në gjendje të rënda sikur edhe 31-vjeçari nga Shkupi, i cili gjatë ditës së shtunë kishte një përkeqësim të rëndë të gjendjes shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë nuk njoftoi për ndonjë sëmundje paraprake të 31 vjeçarit.

“Fotografia klinike që ai ka treguar dhe mënyra se si është përkeqësuar fotografia klinike është praktikisht forma më e rëndë e përkeqësimit që është përshkruar në literaturë. Me një përkeqësim të rëndë të gjendjes shëndetësore dhe që nga dita e shtunë ishte në aparat të frymëmarrjes. Ai kishte gjakderdhje të brendshme dhe në një farë mënyre shpërbërje të mushkërive të bardha”, sqaroi ministri Filipçe.

Filipçe informoi edhe për 16 raste të reja me koronavirus, me çka numri i të infektuarve ka arritur në 257, nga të cilët shtatë janë të sëmurë rëndë, por asnjë pacient aktualisht nuk është në një aparat të frymëmarrjes.

Ministri Filipçe bëri të ditur hapjen edhe të punkteve të reja për testim nga koronavirusi duke paralajmëruar edhe valë më të madhe të të infektuarve me COVID-19.

“Numri i të infektuarve po rritet në mënyrë lineare. Në jemi në luftë me COVID-19. Fatkeqësisht numri i të infektuarve po rritet në botë, por rritet edhe te ne. Do të rritet edhe numri i personave që ndërrojnë jetë. Sot ndërroi jetë edhe një person i moshës së re, që nënkupton se ndaj këtij virusi nuk janë imun as personat e moshës së re”, tha Filipçe duke apeluar për respektimin e masave të qeverisë, në veçanti për ndalimin e lëvizjeve.

Sipas raportit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjithsej 263 persona nuk e kanë respektuar masën për ndalimin e qarkullit gjatë natës së kaluar, pas çka zyrtarët policorë kanë arrestuar 102 persona, 46 persona kanë marrë vërejtje, derisa për të tjerët janë ngritur kallëzime penale në Prokurorinë Publike.