EKONOMI

Edhe 15-vjeçarët prej tash e tutje mund të punësohen në Telekomin e Kosovës

15-vjeçarët prej tash e tutje do të mund të punësohen në Telekomin e Kosovës me rregulloren e fundit të miratuar nga kjo ndërmarrje.

Më 27 nëntor të këtij viti, Telekomi i Kosovës ka miratuar rregulloren për marrëdhënie punë, ndërsa tek kriteri për të themeluar marrëdhënie pune, specifikohet që edhe personat nën moshën 18-vjeçare mund të punësohen në këtë ndërmarrje.

Aty thuhet se personat mbi moshën 15-vjeçare mund të punësohen në Telekomin e Kosovës.

“Marrëdhënia e punës mund të themelohet me çdo person prej moshës tetëmbëdhjetë (18) vjeç. Marrëdhënia e punës mund të themelohet edhe me personat në mes të moshës pesëmbëdhjetë (15) deri në tetëmbëdhjetë (18) vjeç”, thuhet në kushtet e Telekomit të Kosovës për punësim.

Më tutje specifikohet që personat nën 18-vjeç mund të punësohet vetëm për punë të lehta që nuk paraqesin rrezik për shëndetin e tyre.

“Personi nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç, por jo nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç mund të punësohet vetëm për punë të lehta që nuk paraqesin rrezik për shëndetin ose zhvillimin e tyre dhe nëse ajo punë nuk është e ndaluar me ndonjë ligj ose akt nënligjor”, thuhet më tutje në rregulloren e miratuar në fund të muajit të kaluar.

Kujtojmë se punësimet në Telekomin e Kosovës si dhe keqmenaxhimin dyshohet se kishin qenë arsyet kryesore përse Telekomi si njëra prej ndërmarrjeve më fitimprurëse në Kosovë ishte në gjendje pranë falimentimit.

Gazeta Sinjali raportoi të shtunën për shpenzimet e një dreke zyrtare të zv/drejtoreshës së Financave në Telekomin e Kosovës e cila është edhe kunata e Ramush Haradinajt. Ajo në një drekë punë kishte shpenzuar rreth 300 euro./Sinjali

Leave a Reply

Your email address will not be published.