Kosova

E theri në gjoks me thikë një person në diskotekë, merret vendimi për të akuzuarin

Shpejtim Gashi është dënuar më 6 muaj burgim me kusht pasi e ka pranuar se kishte therur me thikë Urim Bajrën. Ky i fundit kishte provuar të ndalte rrahjen ndërmjet të akuzuarit dhe disa personave të tjerë që po përlesheshin në një diskotekë në Fushë Kosovë në qershorin e 2018-ës.

Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten nga gjykatësja Lumnije Krasniqi, dënimi i shqiptuar me burgim nuk do të ekzekutohet nëse gjatë periudhës verifikuese prej një viti, i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Shpenzimet procedurale sipas gjykatëses Krasniqi, bien barrë e gjykatës për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, shpallja e aktgjykimit është bërë pasi që i akuzuari Gashi, ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

I akuzuari ka thënë se e pranon fajësinë dhe se tash i ka raportet e mira me të dëmtuarin.

“Po me pranu po, unë për këtë rast muj me t’kallëzu që e kom kry me këta, Jam pajtu, qaty në lagje jena bashkë edhe mo kurrë s’kena pasë probleme”, tha i akuzuari Gashi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 qershor 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Shpejtim Gashi akuzohet se më 30 gusht 2016 në diskotekën e cila gjendet në lagjen “28” në Fushë Kosovë, për shkak të një mosmarrëveshje që kishte ndodhur mes disa personave brenda ne diskotekë, ku gjatë rrahjes i dëmtuari Urim Bajra tenton t’i ndajë.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se i akuzuari Gashi e  kishte goditur të dëmtuarin Bajra me thikë në gjoks nga ana e lartë në të djathtë, me ç‘rast i shkakton dëmtime të cilat kualifikohen në lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 pika 1.4 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me gjobë ose me burgim deri në një vit./BetimipërDrejtësi