Bota

E pranon Merkel, racizmi nuk është një problem vetëm në ShBA, por edhe në Gjermani

Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e anashkalojnë problemin e racizmit në Gjermani teksa diskutojnë intensivisht për racizmin dhe brutalitetin e policisë në SHBA pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kjo vrasje e George Floyd është shumë, shumë e tmerrshme. Racizmi është diçka e tmerrshme”, tha Merkel në një intervistë ekskluzive për transmetuesin publik ZDF.

“Racizmi ka qenë gjithmonë i pranishëm, por fatkeqësisht edhe ne e kemi atë. Së pari duhet të fshijmë para derës sonë”, theksoi ajo.

Merkel u përmbajt nga kritikat e hapura ndaj presidentit amerikan Donald Trump mbi trajtimin e tij të protestave pas vrasjes së George Floyd, por shprehu shqetësim për polarizimin në rritje në shoqërinë amerikane dhe shprehu shpresë për pajtim.

SHBA është përballur me protesta që nga java e kaluar kur një video u bë virale në të cilën shihej afro-amerikani Floyd duke u mbërthyer përtokë nga një polic i bardhë në Minneapolis teksa po arrestohej.

Oficeri i policisë i vuri gurin në qafë viktimës për gati nëntë minuta, përkundër përgjërimeve të përsëritura të Floyd duke thënë se nuk po mundej të merrte frymë.

Një autopsi e pavarur të hënën tregoi se Floyd u vra nga asfiksimi.

Vdekja e tij ka shkaktuar protesta masive në gjithë SHBA-në dhe disa prej tyre janë shndërruar në dhunë dhe plaçkitje.