Kosova

E konfirmon Vetëvendosje, i drejtohet Supremes për 392 pakot me vota nga diaspora

Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Supreme për numërimin e 392 pakove me vota nga diaspora.

Sipas VV-së, Gjykata Supreme duhet ë rikonfirmojë edhe njëherë këtë të drejtë dhe të urdhërojë numërimin e tyre pa humbur kohë.

“Për sa kohë që vazhdonte rinumërimi dhe ende pa u shpallur rezultatet, kemi kuptuar që në adresë të KQZ-së kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime të bashkatdhetarëve me të drejtë vote.
Gjykata Supreme, në frymë dhe përmbajtje në dy raste të mëparshme ka konfirmuar të drejtën e votuesve nga mërgata që fletëvotimet e tyre të dërguara me kohë dhe para datës së zgjedhjeve, të numërohen dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar.

Aktgjykimet e Gjykatës Supreme do të duhej të shërbenin si bazë e mjaftueshme që KQZ të bëjë edhe numërimin e këtyre 392 pakove, por pas refuzimit për t’i numëruar dhe refuzimit nga ana e PZAP-së për të urdhëruar KQZ-në, çështjen e kemi adresuar në Gjykatën Supreme.

E drejta e votës si e drejtë kushtetuese dhe universale, duhet të mbrohet dhe të respektohet. Ndërsa çdo votë e ardhur në adresë të KQZ-së dhe e nisur nga votues të regjistruar dhe brenda afatit, duhet të numërohet dhe të përfshihet në rezultatin përfundimtar.

Shumë shpesh disa palë të përfshira në proces kanë pretenduar se ankesat po e vonojnë çertifikimin. Ju kujtojmë se faktori kryesor që ka shkaktuar këtë stërzgjatje të kalendarit të aktiviteteve të KQZ-së është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ka një numër të konsiderueshëm të vendimeve arbitrare të këtij institucioni, të rinumërimeve, ndërhyrjes në rezultat. Dhe ajo çfarë është më arbitrare, është mosrespektimi i aktgjykimeve të Gjykatës Supreme lidhur me votat e mërgatës. Në kushte normale, do të kishte mjaftuar vetëm një vendim i Gjykatës Supreme, që për të gjitha rastet e njëjta të vendosjes në analogji nga ana e KQZ-së dhe PZAP-së.

Presim, që Gjykata Supreme të rikonfirmojë edhe njëherë këtë të drejtë dhe të urdhërojë numërimin e tyre pa humbur kohë” thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes./Indeksonline/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483