OPINION

E-commerce, shpëtimi i ekonomisë në kohë pandemie

Shkruan: Visar KASTRATI
Covid 19 ka goditur në masë të madhe ekonominë botërore, dhe, jo rastësisht, kjo goditje po rezulton me mbylljen e madhe të tregjeve.

Kjo pandemi, pa dyshim, do të shkaktojë dëme  më të mëdha ekonomike sesa shëndetësore, pasi me mijëra vende pune do të humben dhe kompanitë do të jenë të detyruara të reduktojnë vendet e punës. E gjithë kjo vjen si pasojë e rënies së konsumit (blerjeve), si dhe kërkesës agregate, e cila mirëmban ciklin ekonomik dhe është në trajektore të rënies rapide; po ashtu, mungesa e parasë në treg shkakton mungesën e mirëqenies sociale dhe, kjo e fundit, atë shëndetësore. Në mungesë të kërkesës agregate, bizneset, direkt preken në shitje dhe zinxhiri i furnizimit bie në mungesë te parasë, e cila është, pa dyshim, një rotor ekonomik. Krahas vendeve me zhvillim të madh, të cilat, pa dyshim, do të rëndohen ekonomikisht më shumë, pasi kanë ekspozim më të madh financiar, Kosova, me një popullsi prej 2 milion banorëve dhe me një ekonomi të tipit import e me eksport minimal, do t’i ketë pasojat shumë më të vogla. Amazon është një shembull brilant për mënyrën si ka arritur të fuqizoj blerjen online dhe atë duke prekur rekorde të shitjeve online, në kohën e fatkeqësisë. Në kohën e pandemisë globale numrat tregojnë se, në SHBA, është rritur 56% blerja online. Disa statistika të tjera tregojnë se, në Azi, shitjet online janë rritur 78%, supermarketet në Mbretërinë e Bashkuar janë rritur për 221%. Bizneset e Kosovës duhet të fillojnë me shitje online, për të mirëmbajtur, sadopak, qarkullimin e parasë dhe për t’i zhvilluar këto metoda të shitjes, të cilat do të dominojnë shekullin 21, si dhe, në Kosovë, do të ndërtohej një kulturë e re e blerjes online nga konsumatorët, e cila s’ka qenë më herët e pranishme. Edhe nëse largohet në tërësi COVID19, konsumatorët do të përdorin këto platforma si rezultat i frikës dhe shprehisë, e cila fillon të formësohet. Ndihmat e shtetit do të jenë të kufizuara dhe kompanitë nuk duhet ta mbajnë fokusin në to, pasi shteti nuk mund t’i zhvilloj bizneset, por mund t’i ndihmoj në këto momente në qira dhe paga (shpenzimet minimale), zhvillimi mbetet pjesë e politikes biznesore të kompanisë. Mendimet se shteti duhet të injektoj shuma të mëdha në forma të kredive në biznese, nuk sjellin dobi në Kosovë, pasi ekonomia e Kosovës nuk është industri e madhe që gjeneron vende të punës përmes fabrikave, por ofron shërbime, dhe këto shërbime mund të mirëmbahen me forma inovative, si shitja online, jo ndoshta si shitjet fizike, por që do t’i zëvendësoj deri ne 60-70%. Ndihma e shtetit duhet te kufizohet, në këto kohë, në tatime, ulje të taksave, qira dhe paga të punonjësve, por jo në forma të kreditimeve. Kosova nuk duhet të ndaj miliona përmes kreditimit, pasi, siç u theksua më lart, nuk është problem malli, por konsumatori dhe paraja, dhe këto mund të mirëmbahen me forma te shitjeve online. Kompanitë duhet të fillojnë sa më parë të zhvillojnë konceptet e e-commerce, si metoda më e përshtatshme për tejkalim të kësaj situate, për shumë biznese.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.