Kosova

E akuzuan se po i ndihmon shqiptarët ta marrin veriun, Trajkoviq ngre kallëzim penal kundër Vuçiqit dhe Gjuriqit

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane për Kosovën, Rada Trajkoviq, ka ngre kallëzim penal ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe drejtorit të ashtuquajturës Zyrë në Qeverinë e Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq.

Siç njofton Televizioni N1, kallëzimin penal në emër të Rada Trajkoviqit e ka bërë avokati i saj, Vladimir Gajiq.

Në kallëzimin penal thuhet se presidenti serb Vuçiq, në një konferencë për shtyp më 18 prill, ndër të tjera ka deklaruar se “historia e bashkimit të veriut dhe jugut të Mitrovicës është edhe një përpjekje e shqiptarëve për të hyrë në veri të ‘krahinës’ dhe të sundojnë me veriun e Kosovës, për çfarë po i ndihmon edhe Rada Trajkoviq me dëshminë e saj për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, përcjell Telegrafi.

Nga ana tjetër, Gjuriq, siç thuhet në kallëzimin penal, “më 22 prill, mes tjerash, theksoi se ‘Rada Trajkoviq është vetëm njëra nga pjesëmarrësit e një fushatë të organizuar për rrënimin e reputacionit të shtetit [Serbisë] dhe institucioneve të tij”.

“Vlerësoj se nevojitet, me qëllim të ruajtjes së stabiliteti shoqëror, të vërtetohet se kush me çfarë motivi po merr pjesë në këtë fushatë, dhe kush është porosititësi dhe frymëzuesi i saj”, ka thënë Gjuriq, ndër të tjera.

Sipas kallëzimit penal, Vuçiqi dhe Gjuriq kanë kryer vepër penale të rrezikimit të sigurisë, kurse Gjuriq edhe veprën penale të shkeljes së fshehtësisë së procedurës.

“Vuçiq dhe Gjuriq në mënyrë të pabazuar dhe të rrejshme e akuzojnë Rada Trajkoviqin se bazuar në të dëshmisë së saj u është caktuar masa e paraburgimit dy shtetasve të Serbisë, se është tradhtare e popullit serb, se është bashkëpunëtore e armiqve të shtetit dhe popullit dhe se punon për shërbimet e huaja të inteligjencës, me çka e ka e kanë rrezikuar sigurinë e saj personale deri në atë shkallë, që ajo ka frikë për jetën e saj”, thuhet në kallëzimin penal.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se Rada Trajkoviq është marrë në pyetje si dëshmitare, por dëshmia e saj nuk ishte vendimtare për arrestimin dhe paraburgimin e dy të dyshuarve.

Trajkoviq ka thënë se kohët e fundit ka marrë mbrojtjen e premtuar të policisë, të cilën e ka kërkuar për shkak rrezikimit të sigurisë së saj dhe familjes.